Vlerësimi Profesional dhe i Çështjeve të Etikës


Ligji i jep të drejtë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të mbledhë informacion rreth aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe të përgatisë raporte të bazuara në atë informacion, siç parashikohet në ligj. Këshilli vlerëson raportet pasi gjyqtarët të kenë një mundësi për të shqyrtuar dokumentet dhe për të paraqitur një përgjigje me shkrim. Nenet 45-46 të Ligjit për Pushtetin Gjyqësor, parashikojnë kushte më të hollësishme të kësaj detyre të Inspektoratit.

Në zbatim të Vendimit Nr.147/5, datë 11.10.2003, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për hartimin e një Sistemi të ri të Vlerësimit të Aftësive Profesionale të Gjyqtarëve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtare dhe me sistemet që zbatohen në vendet me demokraci të zhvilluar si edhe në vijim të një proçesi për përmirësimin e Sistemit aktual të Vlerësimit Profesional dhe Moral të Gjyqtarëve, është miratuar me Vendimin Nr. 193, datë 11.05.2006, Sistemi i Vlerësimit Profesional dhe Etikës të Gjyqtarëve, si dhe aktet përkatëse të vlerësimit të gjyqtarëve.

Sistemi i Vlerësimit është hartuar duke u bazuar mbi një sërë materialesh paraprake, si p.sh. Deklarata e përbashkët e ekspertëve të Këshillit të Evropës mbi shqyrtimin e Sistemit të Vlerësimit të Aftësive Profesionale të Gjyqtarëve, Opinioni Nr.3, i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, komente të ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian dhe referenca të sistemit italian, francez, belg, spanjoll të vlerësimit dhe aftësive profesionale të gjyqtarëve. Sistemi aktual i Vlerësimit ka ndërthurur në një mënyrë tepër të balancuar kriteret objektive dhe subjektive të vlerësimit duke synuar vlerësimin e duhur për një proçes pune tepër kompleks dhe delikat siç është veprimtaria gjyqësore.

Shkarko dokumentat
Sistemi i Vlerësimit Profesional dhe Etik të Gjyqtarëve