Vendim Nr.227/2, datë 28.03.2008

V E N D I M
 
Nr.227/2,  datë 28.03.2008
“PËR   FUNKSIONIN   DREJTUES   NË  GJYKATA”
 
Në zbatim të nenit 1 dhe nenit 2, germa “e” të Ligjit Nr.8811, datë 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar,
 
 
KËSHILLI  I  LARTË  I  DREJTËSISË
I  REPUBLIKËS  SË  SHQIPËRISË
 
 
V E N D O S I :
 
Neni 1 – Funksioni drejtues
 
1.1 Funksioni drejtues i gjykatave të shkallës së parë apo të apelit është dhe ai i kryetarit, emërimi i të cilit kryhet ndërmjet gjyqtarëve në proces konkurrimi që plotësojnë kriteret ligjore, bazohet në një vlerësim të aftësive profesionale dhe të etikës, të aftësive organizuese dhe menaxhuese, si dhe përbën një element të rëndësishëm në karrierë.
 
Neni 2 – Drejtimi i gjykatave
 
2.1  Çdo gjykatë drejtohet nga kryetari.
 
2.2 Kompetencat e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë dhe të apelit pët drejtimin dhe kontrollin përkatës mbi organizimin, funksionimin dhe veprimtarinë administrative të gjykatës dhe të gjyqtarëve janë ato të parashikuara në nenin 18 të ligjit nr.9877 datë 18.02.2008 ‘Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor’, si dhe kryen detyra të tjera në funksion të drejtimit administrativ të gjykatës të parashikuara ne  në akte nënligjore dhe në akte të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
2.3 Në rast të mungesës së tij, kryetari i gjykatës autorizon për ushtrimin e një pjese të kompetencave të tij drejtuese (të parashikuara në pikën 3 të nenit 18 të ligjit nr.9877 datë 18.02.2008 ‘Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor’) një gjyqtar të gjykatës ku ai ushtron veprimtarinë.
 
2.4 Nëse periudha e drejtimit nga gjyqtari i autorizuar është më shumë se 10 ditë, kryetari i gjykatës vë ne dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë mbi gjyqtarin të cilit i janë deleguar kompetencat.
 
Neni 3 – Kriteret e emërimit të kryetarit të gjykatës
 
3.1 Kriteret e emërimit të kryetarit të gjykatës, janë ato të parashikuara nga neni 16 pika 2 të ligjit nr.9877 datë 18.02.2008 ‘Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor’ dhe konkretisht:
 
a) të kenë punuar jo më pak se katër vjet si gjyqtarë në gjykatat e të njëjtit nivel
 ose të niveleve më të larta;
b) të jenë vlerësuar “Shumë mirë” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dy herët
e fundit;
c) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
ç) të kenë aftësi organizuese dhe menaxhuese;
d) të mos jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
 3.2 Nëse ndermjet kandidatëve në konkurim për kryetar të një gjykate, asnjë prej tyre nuk plotëson kriterin e vlerësimit të parashikuar nga gërma ‘b’, për efekt të ketij kriteri do të mbahet parasysh kandidati me rezultatet më të larta dy herët e fundit të vlerësimit.
 
Neni 4  -  Emërimi dhe qëndrimi në detyrë
 
4.1 Gjyqtari emërohet në detyrën e kryetarit të gjykatës se shkallës së parë dhe të apelit nëpërmjet procedurës së konkurrimit për një mandat ligjor ne kohëzgjatje katër vjet, me të drejtë riemërimi.
 
Bën përjashtim situata e emërimit të përkohshëm –delegimi -,  për shkak të situatave emergjente ose riorganizimit.
 
4.2 Mandati i kryetarit të gjykatës së shkallës së parë dhe i kryetarit të gjykatës së apelit mbaron para afatit katërvjeçar në rastet e parashikuara shprehimisht në pikat 2 dhe 3 të nenit 17 të ligjit nr.9877 datë 18.02.2008 ‘Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor’ dhe konkretisht :
 
a) kur jep dorëheqjen;
b) në të gjitha rastet e lëvizjes nga detyra si gjyqtar
c) kur është në pamundësi fizike të ushtrimit të detyrës për më shumë se 3 muaj;
ç) kur zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
d) kur shkarkohet nga pozicioni drejtues, në rast të mospërmbushjes së detyrat e parashikuara në nenit 18 të ligjit nr.9877 datë 18.02.2008 ‘Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor’ duke marrë për bazë rezultatet  e kontrollit të gjykatës ku ushtrohet aktiviteti drejtues, apo vlerësimit të punës se kryetarit te gjykates, parashikuar në nenin 9 të këtij vendimi.
 
4.3 Mbarimi i mandatit të kryetarit të gjykatës deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas kërkesës së motivuar të çdo anëtari të këtij Këshilli sipas përcaktimit të bërë me pikën nr.5 të ligjit nr.9877 datë 18.02.2008 ‘Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor’.
 
 4.4. Shkarkimi i kryetarit të gjykatës së shkallës së parë dhe i kryetarit të gjykatës së apelit, bëhet me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kur kërkohet me shkrim nga jo më pak se 5 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ose nga Ministri i Drejtësisë.
 
Neni   5  - Procedura  e emërimit të kryetarit të gjykatës
 
5.1 Emërimi i kryetarit të gjykatës kryhet nëpërmjet procedurës së konkurimit mes të paktën dy kandidatëve për pozicionin drejtues të gjykatës.
 
5.2 Në procesin e përzgjedhjes mes kandidaturave konkuruese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë aplikon procedurën e prezantimit dhe intervistimit të secilit prej kandidatëve, duke u lënë në dispozicion një kohë të arsyeshme dhe të barabartë. Gjyqtari që konkurron prezanton përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në formë të përmbledhur, programin e tij për drejtimin e gjykatës dhe më pas nga anëtarët e Këshillit mund t’i drejtohen pyetje.
 
5.3 Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë  për dëgjimin e gjyqtarëve të cilët konkurojnë mes tyre për të njëjtin pozicion, mund të zhvillohet në prani të një auditori me përfaqësues nga autoritete të pushtetit lokal pranë gjykatës ku gjyqtari konkurent shtron veprimtarinë, gjyqtarë të tjerë të asaj gjykate, përfaqesues të komunitetit të juristëve të zonës dhe medias.
 
 5.4 Këshillit i Lartë të Drejtësisë vendos për përzgjedhjen e kandidaturës më të përshtatshme për kryetar të gjykatës mbi votimin e argumentuar dhe të hapur të çdo anëtari dhe me shumicë votash. Kur votat ndahen në mënyrë të barabartë mes dy ose me shume kandidatëve, përzgjedhja do të bëhet duke konsideruar kandidatin me kritere vlerësimi  më të larta.
 
5.5 Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për emërimin e kryetarit  të gjykatës,  duhet të jetë i arsyetuar.
 
 Neni 6 –  Të dhënat dhe materialet që shërbejnë për përzgjedhjen në funksionin drejtues
 
6.1  Për gjyqtaret që konkurojnë për pozicionin e kryetarit në një gjykatë, identifikohen dhe mblidhen të dhëna dhe materiale lidhur me veprimtarinë e tyre dhe i paraqiten Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë procesit të konkurrimit.
 
 6.2  Të dhënat dhe materialet që identifikohen dhe mblidhen për gjyqtarët kandidatë për funksionin drejtues në gjykata, duhet të përmbajnë informacion për:
 
a) Ngarkesën e punës së përballuar ndër vite, si dhe cilësinë e punës së tyre;
 
b) Pjesëmarrjen në gjykime si anëtarë të trupit gjykues (jo si relatorë);
 
c) Sjelljen dhe rastet eventuale të pajtueshmërisë apo konfliktit të interesit;
 
ç) Ankesat e adresuara ndaj tyre dhe mënyrën e përfundimit të trajtimit të ankesës, duke evidentuar për çdo rast përmbushjen e rregullt të detyrës nga gjyqtari, nëse ndaj tyre është kërkuar fillimi i procedimit disiplinor, nëse është marrë masë disiplinore, llojin e masës dhe kohën e dhënies së saj, nëse iu është tërhequr vëmendja (verbalisht ose me shkrim), si dhe nëse janë identifikuar të dhëna të vlefshme për vlerësimin profesional dhe etik të tyre;
 
d)  Vlerësimet  profesionale të bëra për to për dy herët e fundit nga
Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
 
dh) Njohuritë mbi gjuhën e huaj;
 
e) Problematika lidhur me çështjen e pasurive të deklaruara nga gjyqtarët kandidatë apo dhe rezultatet e kontrolleve të ushtruara lidhur me ato deklarime;
 
ë) Raporte të kontrolleve të përgjithshme apo tematike të ushtruara ndaj tyre apo në gjykatat ku ata kanë punuar apo punojnë, si dhe rezultatet e këtyre kontrolleve në raport me veprimtarinë e atyre gjyqtarëve;
 
f) Të dhëna që disponohen nga Ministria e Drejtësisë;
 
g) Opinione të marra për veprimtarinë e gjyqtarëve konkurrues nga subjektet që marrin shërbim gjyqësor në gjykatat respektive, nga përfaqësues të prokurorisë dhe avokatisë vendore;
 
gj) Çdo të dhënë tjetër që mund të shërbejë për vlerësime të aspektit të performancës dhe meritave të gjyqtarëve kandidatë.
 
6.3  Identifikimi dhe mbledhja e të dhënave dhe materialeve për gjyqtarët kandidatë për kryetar në gjykata, bëhet nga inspektorët e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të ngarkuar posaçërisht për këtë gjë nga Zëvendëskryetari i Këshillit.
 
Neni 7 – Njoftimi i vendeve vakante dhe paraqitja e kërkesës
 
7.1  Me qëllim për të mos krijuar vakum në procesin e drejtimit të gjykatës, vendi vakant për pozicionin e kryetarit të gjykatës, shpallet si i tillë, tre muaj përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar të kryetarit të gjykatës. Afati tre mujor shërben për evidentimin e kandidaturave që konkurojnë në pozicionin e kryetarit të gjykatës dhe mbledhjen e materialeve dhe të dhenave mbi bazë të të  cilave do të bëhet përzgjedhja. Emërimi i kryetarit të ri nuk mund të bëhet përpara deklarimit të mbarimit të mandatit të plotë të kryetarit  ekzistues dhe në çdo rast jo më vonë se një muaj nga mbarimi i mandatit të tij.
 
7.2 Në rastet kur vendi i kryetarit në një gjykatë mbetet vakant për një nga situatat e mbarimit të mandatit përpara afatit ligjor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, delegon një nga gjyqtarët e kësaj gjykate për të kryer përkohësisht detyrën e kryetarit të gjykatës. Vendi vakant në këtë rast, duhet të plotësohet brenda tre muajve nga krijimi i tij.
 
7.3 Vendi vakant duhet t’i bëhet i njohur gjyqtarëve, të paktën dy javë përpara ditës së konkurrimit, nëpërmjet mjeteve të komunikimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe do të jetë i pranishëm vazhdimisht në faqen e internetit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në plotësimin e tij.
 
7.4  Gjyqtarët duhet të paraqesin pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkesën për emërim, programin për drejtimin e gjykatës,  si edhe çdo dokument tjetër që i shërben formimit të tyre profesional apo vlerësimit të personalitetit, përveç atyre që përmban fashikulli personal i gjyqtarit.
 
 7.5 Bashkë me kërkesën dhe dokumentet e tjera, gjyqtarët që konkurojnë për kryesimin e gjykatës, duhet të paraqesin edhe një autorizim nëpërmjet të cilit lejojnë përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të hetojnë dhe të mbledhin të dhëna dhe materiale rreth veprimtarisë së tyre, sipas dhe për sa parashikohet në nenin 6.2 të këtij Vendimi.
 
Neni 8 – Përpunimi i të dhënave
 
8.1 Në kohën dhe për çdo rast kur njofton vendin vakant për funksionin drejtues në një gjykatë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë krijon edhe një grup pune të përbërë nga anëtarë të Këshillit, i cili, mbi bazën e të dhënave dhe materialeve të mbledhura, harton një relacion për kandidatët që konkurrojnë për pozicionin e kryetarit të gjykatës.
 
8.2 Grupit të punës i vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe materialet që ndodhen pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe të tjera që mblidhen sipas parashikimeve të këtij Vendimi.
 
8.3 Grupi i punës përgatit nga një Curriculum Vitae, si dhe një relacion ku evidenton elementet pozitivë dhe negativë të secilit prej kandidatëve konkurrues. Këto akte, së bashku me kërkesën e gjyqtarit dhe programin për drejtimin e gjykatës, u shpërndahen anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë sipas procedurës ligjore të mbledhjeve të Këshillit.
 
8.4 Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, para ose gjatë mbledhjes ku bëhet emërimi i gjyqtarit në funksionin drejtues, mund të kërkojnë të studiojnë të dhënat dhe materialet e grumbulluara apo fashikullin personal të secilit prej gjyqtarëve konkurrues.
 
Neni   9 –  Vlerësimi i punës
 
9.1 Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një herë në dy vjet ose kur kërkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, paraqet përpara Këshillit një raport për punën e kryer nga kryetari i gjykatës.
 
9.2  Raporti i Kryeinspektorit  bazohet edhe në:
 
a. raportin e të deleguarit pjesëmarrës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në analizat vjetore të gjykatës, e veçanërisht për punën e kryetarit;
b. vizitat e Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në gjykata gjatë mandatit të kryetarit;
c. materiale që vijnë nga Ministri i Drejtësisë;
ç. materiale të tjera që rezultojnë nga verifikimet apo kontrollet gjatë periudhës që ai ka qenë në detyrën e kryetarit të gjykatës.
 
9.3 Gjyqtarit në funksionin e kryetarit të gjykatës, i komunikohet raporti i Kryeinspektorit, ndaj të cilit  ai ka të drejtë të paraqesë objeksionet e e veta. Veprimet e mësipërme kryhen nëpërmjet një procedure të dokumentuar.
 
 9.4  Raporti i Kryeinspektorit shqyrtohet në Mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
9.5 Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideron të arsyeshme, ose kur gjyqtari në pozicionin e kryetarit të gjykatës e kërkon, ky i fundit mund të marrë pjesë në mbledhje, për t’iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme ose për të parashtruar mendimet e tij lidhur me raportin, punën e kryer prej tij, si dhe eventualisht për punën në të ardhmen.
 
9.6 Mbi bazën e raportit te kryeinspektorit, subjektet të cilët kanë të drejtën e iniciativës me shkrim për të kërkuar shkarkimin e kryetarit të gjykatës të cilët janë zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri i  Drejtësisë  dhe jo më pak se pesë anëtarë të këtij Këshilli mund të kërkojnë shkarkimin nga pozicioni drejtues të kryetarit. Në këtë rast, në mbledhje duhet të thirret dhe ti jepet mundësia për tu degjuar  edhe kryetarit të gjykatës i cili është subjekti që procedohet. Në bazë të diskutimeve të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli vendos për qëndrimin e gjyqtarit në pozicionin e kryetarit të gjykatës,  ose për shkarkimin e tij nga ky funksion drejtues.  Subjekti propozues ka të drejtë vendimmarrje.
 
Neni 10 - Dispozita të fundit
 
10.1 Kryeinspektori dhe Drejtoritë përkatëse të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të fillojnë procedurat për zbatimin e këtij Vendimi.
 
10.2 Në vendet vakante për kryetar te gjykatës, te krijuara per shkak te mbarimit te mandatit katërvjeçar të kryetarëve në gjykatat e rretheve gjyqësore dhe Gjykatat e Apelit, këta të fundit, do te vazhdojne ushtrimin e këtij funksioni, deri në zgjedhjen e kandidaturës më të përshtatshme për kryetar të Gjykatës  nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
 
10.3 Vendimi nr.214/2, datë 12.07.2007 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë “Për funksionet drejtuese në gjykata", i ndryshuar shfuqizohet.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë
 
KËSHILLI  I  LARTË  I  DREJTËSISË
 
 
28.03.2008.