Trajnimi fillestar dhe vazhdues

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbështetje të nenit 2, gërma “d”, e Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, kujdeset për kualifikimin e gjyqtarëve. Këtë kompetencë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e realizon në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, e cila  është autoriteti përgjegjës për formimin profesional (formimin fillestar dhe atë vazhdues) të studentëve që ndjekin këtë shkollë dhe të gjyqtarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe atyre të apelit. Këta të fundit i nënshtrohen formimit vazhdues, i cili është i detyrueshëm.
 
Programi i formimit vazhdues të gjyqtarëve hartohet nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, pas konsultimit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, dhe Këshillin Pedagogjik të Shkollës dhe miratohet nga Këshilli Drejtues i saj.

Ligji për Shkollën e Magjistraturës parashikon se pjesëmarrja e gjyqtarëve në këto trajnime bëhet mbi bazën e propozimeve konkrete përkatësisht nga Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë ose Kryetari i Gjykatës së Apelit, të cilët ia paraqesin propozimet e tyre Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës.

Më pas, me propozim të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë miraton listat me emrat e personave që do të marrin pjesë në trajnimin vazhdues, për një periudhë të paktën 1-vjecare sipas veprimtarive përkatëse, të përcaktuara në programin e formimit vazhdues.