Përshëndetja e Presidentit të Republikës

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të përshëndes këtë prezantim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në cilësinë e Kryetarit të këtij Këshilli vlerësoj se përgjegjësia e këtij Institucioni për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore është një sfidë e vështirë por jo e pamundur.

Përvoja e deritanishme na jep garanci se me përkushtim dhe kontribut të përbashkët është e mundur të ndryshohet imazhi i deritanishëm për sistemin e drejtësisë, në mënyrë që, duke rritur standardet e performancës së tij, të rritet edhe besimi i qytetarëve në këtë sistem.

Forcimi i shtetit të së drejtës dhe strukturave të tij është një kusht i rëndësishëm në proceset integruese të vendit. Për të ecur të sigurt në këtë rrugë, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për reformat që duhet të ndërmarrim, natyrisht jo në mënyrë të njëanshme, as me presione, por me një bashkëpunim luajal dhe konstruktiv.

Reformat në sistemin gjyqësor, por dhe në atë të drejtësisë në tërësi, duhet të zhvillohen në funksion të ndërtimit dhe konsolidimit të një sistemi shoqëror të së drejtës, që ofron siguri, garanton të drejtat e njeriut dhe liritë themelore dhe ku çdokush gëzon mbrojtje efektive ligjore të të drejtave nga gjyqtarë të pavarur, të paanshëm dhe me nivel të lartë profesional, që ushtrojnë funksionin e tyre në një sistem gjyqësor të mirëorganizuar dhe të administruar në mënyrë të pavarur.

Nuk mund të ketë konsolidim të demokracisë pa respektim të ndarjes së pushteteve. Synimi ynë është të ndërtojmë të gjithë së bashku një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm, me integritet, efektiv në të gjitha aspektet e organizimit, funksionimit dhe administrimit të tij dhe të besueshëm, mbështetur mbi standardet bashkëkohore.

Përkushtimi, paanësia, profesionalizmi dhe përgjegjësia e lartë janë cilësitë që duhet të reflektojmë në përmbushjen e këtij qëllimi.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për shkak të autoritetit kushtetues, ka shansin të luajë një rol më aktiv në drejtim të rritjes së transparencës, profesionalizmit, objektivitetit, luftës kundër fenomeneve abuzive dhe korruptive dhe besueshmërisë në gjyqësor.

Shpreh bindjen se, po të punojmë të gjithë së bashku me vullnet të mirë do t’ia dalim të përballojmë sfidat për përmbushjen e misionit me të cilin jemi ngarkuar, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe pavarësinë e institucioneve, në të mirë të vendit dhe në përmbushje të pritjeve të bashkëqytetarëve tanë.

Sinqerisht,

Bamir Topi
President i Republikës dhe
Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë