Organizimi

Struktura e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Struktura e KLD-së garanton një mbikqyrje të pavarur të sistemit gjyqësor, pavarësisht se kjo mbikqyrje e pavarur duhet të garantohet edhe në veprimtarinë e përditshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke qëndruar larg influencave dhe dualiteteve ligjore apo nënligjore me institucione që përfaqësojnë pushtetin ekzekutiv.
 
Dispozitat Kushtetuese

Kushtetuta përcakton se KLD-ja përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Afati i qëndrimit në detyrë është pesë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë të kërkojnë rizgjedhje të menjëhershme.

Kryetari i KLD-së është Presidenti i Republikës dhe anëtarët e KLD-së zgjedhin, me propozim të Presidentit, një Zëvendëskryetar prej rradhëve të veta, për të organizuar veprimtarinë dhe për të kryesuar në mungesë të Presidentit.

Neni 147 përshkruan më tej disa nga detyrat kryesore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, veçanërisht transferimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe, për shkelje të caktuara, shkarkimin e tyre nga postet që mbajnë. Neni 147 jep arsyet në bazë të të cilave Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund t’i shkarkojë gjyqtarët: kryerja e një krimi, paaftësia mendore a fizike, akte apo sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, ose pamjaftueshmëri profesionale. Një shkarkim mund të apelohet në Gjykatën e Lartë.

Neni 137 i jep Këshillit të Lartë të Drejtësisë kompetenca të mëtejshme në disiplinimin gjyqësor, pasi procedimi penal për çdo gjyqtar të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Gjykatave të Apelit, kërkon miratimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe, nëse ky Këshill nuk jep pëlqimin për procedim penal brenda 24 orëve që nga njoftimi i akuzës, organi i procedimit penal duhet ta lirojë gjyqtarin.
 
Në mbështetje të nenit 136, Këshilli i Lartë i Drejtësisë luan një rol kyç në emërimin e gjyqtarëve. Për funksionin e gjyqtarit në Gjykatat e Rrethit Gjyqësor dhe Gjykatat e Apelit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i propozon kandidatura për emërim Presidentit, me kushtet dhe procedurat për një përzgjedhje të tillë, të përcaktuara me ligj.

Gjithashtu, në përputhje me nenin 154, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjedh tre anëtarë që shërbejnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.