Deklarata e Zv/kryetarit te KLD Kreshnik Spahiu per vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi ne Vlore
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka ndjekur me shqetësim lajmin e transmetuar nga mediat shqiptare për atentatin me lëndë eksplozive ndaj Gjyqtarit të Rrethit Gjyqsor Vlorë, Skerdilajd Konomi. Fillimisht dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mia dhe në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, familjes së të ndjerit, i cili ishte i martuar dhe babai i dy fëmijëve të mitur. Gjyqtari Skerdilajd Konomi u diplomua në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe ka qenë nga prurjet e reja, më të mira dhe më cilësore të gjeneratës së kësaj shkolle. Gjithashtu dëshiroj të dënoj publikisht dhunën, ndaj gjyqtarëve nëpërmjet këtijek zekutimi terrorist, i cili nuk ndodh dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë vend,ku funksionon rendi dhe siguria. Gjej rastin këtutë shpreh se ky akt është në vazhdën e ngjarjeve të dhunshme kundër gjyqsorit për gjatë viteve të fundit duke përbërë një rast të paprecedent në historinë e drejtësisë shqiptare kur tentohet dhunshëm dhe merret jeta e një funksionari publik. Shqipëria synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe të ndjekë udhën e Brukselit dhe jo të Sicilisë së 50 viteve më pare,ku drejtësia të gjunjëzohet nga veprat mafioze dhe krimi i organizuar. Një shtet ligjor, i cili nuk mund të garantojë jetën e gjyqtarëve, nuk mund të japë garanci për jetën e qytetarëve të tij, dhe as nuk mund të garantojë dhënien e drejtësisë, nga ata të cilët kërcënohen me jetë. Ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me prioritet maksimal nga organet e hetimit dhe të gjenden dhe vendosen përpara drejtësisë autorët e kësaj masakre. Ky akt është një goditje për sistemin e drejtësisë, një sulm i drejtpërdrejtë dhe i egër, i cili duhet të sjellë reflektim të menjëhershëm për veprimet e më tejshme që duhet të ndërmerren në mbrojtje të gjyqsorit.