Deklaratë për shtyp, 25.11.2010
Dërguar nga webmaster më Enj, 11/25/2010 - 21:11

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË
DEKLARATË PËR SHTYP
Sot, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, prezantoi në prani të trupës gjyqësore, Kryetaren e komanduar në detyrë, të Gjykatës për Krime të Rënda, Etleva Deda. Zëvendëskryetari shoqërohej edhe nga shefi i ri i Misionit EURALIUS, z. Joaqiun Urias, si dhe stafi i këtij mision.
Znj. Etleva Deda u komandua në detyrë përkohësisht pas dorëheqjes së Dritan Hallunit, i cili u zgjodh nga Konferenca Gjyqësore, si anëtar i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjatë prezantimit, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, i ftoi gjyqtarët të kandidojnë në vendin vakant të kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimeve të Rënda dhe deklaroi se së shpejti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të rinovoj drejtimin e 10 gjykatave të rretheve gjyqësore dhe apeleve. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, theksoi se emërimi dhe promovimi i kryetarëve të gjykatave këtej e tutje, do të ketë një procedurë krejt ndryshe dhe të asistuar nga ekspertiza evropiane. Ndër të tjera, Kreshnik Spahiu theksoi se: “promovimi dhe emërimi i kryetarëve të gjykatave, do të realizohet nëpërmjet një standardi thellësisht të ri, i cili do të konsistojë në:
1. Realizimin e sistemit të vlerësimit të punës dy vjeçare për çdo gjyqtar që kandidon për kryetar gjykate dhe kërkon të promovohet.
2. Detyrimisht, kandidati për t’u kualifikuar në kandidim, duhet të jetë vlerësuar në sistem me rezultatin “shumë mirë”.
3. Zhvillimin e seancave dëgjimore publike me të gjithë kandidatët për kryetar gjykatash.
4. Zhvillimin e diskutimeve profesionale dhe në referencë të sistemit të vlerësimit, brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
5. Nxjerrjen e vendimeve të arsyetuara dhe motivuara të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kandidaturat fituese.
6. Zhvillimin e takimeve të vazhdueshme konsultative me ekspertët e huaj dhe trupën gjyqësore për përmirësimin e këtij procesi.”
Ky proces i përmirësimit të standardit të emërimit dhe promovimit, do të asistohet edhe nga Misioni EURALIUS. Një tjetër angazhim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do të jetë vlerësimi i punës së Kryetarëve të gjykatave të shkallëve të para dhe të gjykatave të apelit, duke evidentuar përmbushjen prej tyre të detyrimeve, që u janë ngarkuar nga ligji apo aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij.
25.11.2010