Ankesa Online

Ankesa Online

 

Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

2019 klgj

2019 klgj

Kryetarja e KLGJ takon Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami priti në një takim pune Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë Sh.T.Z. Luigi Soreca. Në takimin e zhvilluar, Kryetarja e KLGJ-së, pasi falenderoi Ambasadorin Sh.T.Z. Soreca për mbështetjen e deritanishme që BE i ka dhënë Shqipërisë në lidhje me reformën në drejtësi, prezantoi punën intensive të Këshillit të Lartë Gjyqësor gjatë muajit të parë krijimit të tij.

Znj. Llagami prezantoi të gjitha hapat e ndërmarra për funksionalizimin e institucionit, prioritetet e mandatit të parë si dhe sfidat ligjore dhe institucionale të tij. Ajo theksoi angazhimin e të gjithë anëtarëve të KLGj-së për kryerjen me përgjegjësi të detyrave kushtetuese, kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtesisë, rritjen e transparencës dhe parandalimin e fenomeneve që dëmtojnë imazhin e trupës gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.

Disa nga çështjet më të rëndësishme të diskutuara në këtë takim ishin ato të krijimit të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, emërimi i antarëve të Gjykatës së Lartë dhe verifikimi i kandidatëve për magjistratë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës.

_________________________________________

ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN

Në datën 25 Janar, në qytetin e Durrësit, u zhvillua Takimi i 8-të i Kryetarëve të Gjykatave. Ky takim është kthyer tashmë në një forum të hapur të diskutimeve rreth çështjeve më urgjente dhe më prioritare të funksionimit të sistemit gjyqësor.

Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Znj. Naureda Llagami, e cila shoqërohej nga disa anëtarë të këtij Këshilli si dhe Znj. Anne Trice, Drejtuese e projektit të USAID “Drejtësi për të gjithë”.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Znj. Llagami, ndër të tjera theksoi që ky forum, Takimi i Kryetarëve të Gjykatave, meriton vëmendje dhe mbështetje të vecantë, nga ku duhet të burojë një përgjegjshmëri dhe dedikim maksimal që duhet treguar me qëllim garantimin e dhënies së drejtësisë për të gjithë qytetarët. Më tej Znj. Llagami u ndal në domosdoshmërinë e rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë duke nënvijëzuar që Këshilli i Lartë Gjyqësor do të bëjë të pamundurën për t’ju përgjigjur me seriozitet sfidave që ka përpara por edhe duke kërkuar mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin e të gjithë gjyqtarëve si një domosdoshmëri për arritjen e objektivave primarë të forcimit të sundimit të ligjit.

Në takim u diskutuan një sërë çështjesh konkrete në lidhje me akumulimin e çështjeve gjyqësore, mbingarkesën e punës në disa gjykata, krijimin dhe implementimn e skemës së delegimeve, etj..

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot, me datë 29.01.2019, mbledhjen e radhës, ku vendosi caktimin dhe publikimin e numrit maksimal të kandidatëve magjistratë, profili gjyqtar, prej 25 (njëzet e pesë) kandidatë që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi caktimin e 25 (njëzet e pesë) kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, që do të pranohen për të ndjekur programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020.

Përveç përcaktimit të numrit maksimal të këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë dhe në funksion të transparencës këtij procesi,Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Plotësimit të Kritereve të Kandidatëve për Këshilltarë dhe Ndihmës Ligjorë, që do të pranohen për të ndjekur programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 07.02.2019, mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi disa vendime të cilat përcaktojnë rregulla të detajuara në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor në vend.

Më konkretisht, Këshilli miratoi rregulloren “Për kriteret dhe procedurën e funksionimit të skemës së delegimit të gjyqtarit”, dhe rregulloren “Për kriteret dhe procedurën e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit”, duke i dhënë zgjidhje në këtë mënyrë problematikave të konstatuara në gjykata.

Duke mbajtur parasysh rëndësinë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, Këshilli miratoi rregulloren “Mbi organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Përkohshëm për Vlerësimin Etik dhe Profesional në Kuadër të Procesit të Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve”, në të cilën përcaktohen rregulla të hollësishme për mirëfunksionimin e këtij procesi.

Në përfundim Këshilli miratoi vendimin mbi dhënien e informacionit periodik nga kryetarët e gjykatave për gjithë veprimtarinë gjyqësore të tyre.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, njofton opinionin publik, se pranë tij, është depozituar kërkesa e Ministrit të Drejtësisë, në të cilën kërkohet hetimi disiplinor i veprimtarisë së anëtarëve të trupës gjyqësore, që kanë gjykuar çështjen kundër të dënuarit Dritan Dajti, me arsyetimin se këta gjyqtarë, kanë kryer shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, shkak mbi të cilin ka kërkuar në vijim edhe marrjen e masës së shkarkimit nga detyra.

Nisur nga kjo kërkesë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, informon publikun se kjo çështje do të trajtohet me përparësi, paanshmëri dhe profesionalizëm. Këshilli do të bëjë vlerësimin e duhur, në përputhje me kuadrin e ri ligjor dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në respektim të ligjit.

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 14.02.2019, me propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, miratoi rregullat dhe procedurën e caktimit të gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë në një gjykatë tjetër. Miratimi i këtij vendimi erdhi si një domosdoshmëri, në kushtet kur skema e delegimit dhe transferimi i përkohshëm janë të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur nevojave aktuale të gjykatave, si dhe në detyrimin Kushtetues që Këshilli ka për të siguruar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor.

 

Për të adresuar situatën e krijuar nga depozitimi i një numri të madh ankimesh kundër vendimeve të Kryeinspektorit të ish-KLD-së, për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi ngritjen e  Komisionit të Përkohshëm për Shqyrtimin e Ankimeve kundër Vendimeve të Kryeinspektorit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për Arkivimin e Ankimit ose Pushimin e Hetimit ndaj një Gjyqtari.

 

​ 

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot, me datë 19.02.2019, mbledhjen e radhës, ku vendosi shpalljen e hapjes së procedurës për komandim të një gjyqtari në pozicionin pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta duke i dhënë në këtë mënyrë zgjidhje 184 çështjeve gjyqësore të akumuluara një pjesë e tyre që para krijimit të Këshillit të lartë Gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 28.02.2019, mbledhjen e radhës në të cilën u caktuan gjykatat, si dhe trupa e magjistratëve udhëheqës, të cilët do të kryejnë vlerësimin etik dhe profesional të secilit kandidat për magjistrat, duke u bazuar në kriteret dhe nivelet e vlerësimit të përcaktuar me ligj. Këshilli caktoi Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, të shërbejnë për kryerjen e praktikës profesionale për kandidatët magjistratë, profili gjyqtar, duke vlerësuar se këto dy gjykata janë praktikisht dy nga gjykatat me të mëdha në vend, ku në kompetencat lëndore të tyre përfshihen mosmarrëveshjeshjet në tre fushat kryesore të të drejtës, atë civile, penale dhe administrative.

Këshilli miratoi udhëzimin mbi pagesat e gjyqtarëve që ushtrojnë funksionet në ditët e pushimit javor dhe festave zyrtare, udhëzim i cili ka si qëllim zbatimin e dispozitave ligjore për kompensimin financiar të gjyqtarëve.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të gjyqtarëve z. Fejzo Hysi dhe z. Halil Vani.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 12.03.2019, mbledhjen e radhës në të cilën miratoi listën emërore të kandidatëve për Këshilltarë dhe Ndihmës Ligjorë, që plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020. Në respektim të procedurës së përcaktuar në ligj, Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Plotësimit të Kritereve të Kandidatëve për Këshilltarë dhe Ndihmës Ligjorë ka kryer verifikimin e plotësimit të kritereve, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga çdo kandidat.Në përfundim të procesit u miratua lista me 16 (gjashtëmbëdhjetë) kandidatë që plotësojnë kriteret për Këshilltarë Ligjorë dhe lista me 93 (nëntëdhjetë e tre) kandidatë, që plotësojnë kriteret për Ndihmës Ligjorë.

Bazuar në vendimin e Kuvendit, anëtarët e Keshillit miratuan strukturën organizative të administratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor e cila përbehet nga 125 punonjës.

Me qëllim mirëfunksionimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Këshilli miratoi deklarimin e përfundimit të periudhës së transferimit të përkohshëm dhe kthimin në pozicionin e mëparshëm të gjyqtarit Erjon Çela.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 27.03.2019, mbledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme, mes të cilëve, edhe rregulloren për organizimin dhe funksionimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të kryeinspektorit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari.

Me miratimin e kësaj rregulloreje i hapet rruga shqyrtimit objektiv, të paanshëm, profesional dhe në një kohë sa më të shpejtë të ankesave të akumuluara para themelimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas miratimit të rregullores, Këshilli caktoi me short dy anëtarët zëvendësues në Komisionin e Përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të kryeinspektorit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari.

Në vijim, Këshilli diskutoi dhe miratoi komentet dhe kundërshtime për raportin e Shkollës së Magjistraturës në lidhje me rezultatet e vlerësimit paraprak të kandidateve që kanë aplikuar për pranimin në formimin fillestar, për vitin akademik 2019-2020, profili gjyqtar.

Gjithashtu, Këshilli miratoi kërkesën e gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Flora Hasimi, për përfitimin e lejes së papaguar, nga ushtrimi i detyrës së gjyqtares, për shkaqe shëndetësore për një periudhë 5 javore.

 

Faqe 1 nga 5