Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Deklaratë për Shtyp 23.10.2012

Sot, në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë dhe Ambasada Britanike në Tiranë, prezantuan rezultatin e sondazhit "Promovimi i gjyqtarëve dhe sistemi i pikëzimit". Objekt i këtij sondazhi ishte matja e impaktit të reformës në promovimin e gjyqtarëve, sipas sistemit të ri të vlerësimit profesional, si dhe perceptimi i gjyqësorit për vetë sistemin gjyqësor dhe për pushtetet e institucionet e tjera publike.

Në prezantimin e këtij sondazhi, nderoi me pjesëmarrje dhe me fjalën e tij përshëndetëse, SH.T. Ambasadori Britanik në Tiranë Z. Cannon, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Çefa dhe Ministri i Drejtësisë, Z. Halimi. Merrnin pjesë gjithashtu, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, ekspertë të Misionit EURALIUS, si dhe ekspertë të tjerë të fushës.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përshëndeti këtë nismë, duke i konsideruar rezultatet e këtij sondazhi, të rëndësishme dhe pika reference të punës së institucionit. Në vijim do të gjeni fjalën e plotë të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

* Fjala e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në prezantimin e sondazhit "Promovimi i gjyqtarëve dhe sistemi i pikëzimit":

I nderuar Shkëlqesi Ambasador Cannon!
I nderuar Zoti Ministër!
Të nderuar pjesëmarrës!
Zonja dhe zotërinj!

Më lejoni të përshëndes sot këtë nismë të lavdërueshme të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë të mbështetur nga Ambasada Britanike në Tiranë për të ndërmarrë kryerjen e këtij sondazhi në radhët e gjyqtarëve. Këshilli i Lartë i Drejtësisë mirëpret idetë apo partneritetet e reja, aq më shumë kur ato prekin drejtpërdrejt punën e tij. Matja e impaktit të reformës së ndërmarrë deri tani nga KLD-ja në promovimin e gjyqtarëve, matja e perceptimit të gjyqësorit për vetë gjyqësorin dhe matja e perceptimit të gjyqësorit për pushtete dhe institucionet e tjera janë çështje në rendin e ditës së Këshillit.

Pritshmëritë ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë të mëdha kohët e fundit dhe këtu kam parasysh jo vetëm publikun por edhe vetë aktorët e sistemit, gjyqtarët. Ky sondazh, megjithëse për vitin 2011, vjen në momentin e duhur dhe njëkohësisht shumë të rëndësishëm për ne, për reformën që ne po fillojmë të ndërmarrim. Rezultatet e tij janë padyshim shumë interesante dhe jam i sigurt se do të na shërbejnë shumë në punën tonë.

Nëse vetë gjyqtarët perceptojnë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar apo ka mungesë integriteti, do të thotë se puna që na pret do të jetë intensive, dhe imponon rritjen e rolit mbikëqyrës, kontrollit dhe iniciativës.
Në rast se nuk i luftojmë këto fenomene që pengojnë funksionimin normal të drejtësisë, do të jetë tepër e vështirë për të bindur publikun, politikën, madje edhe institucionet ndërkombëtare se gjyqësori në Shqipëri e ka autoritetin e nevojshëm për të merituar pavarësinë që dëshiron.

Emërimet dhe ngritjet në detyrë nuk duhet të vijnë si pasojë e çfarëdolloj pazari, por nga një proces real i vlerësimit të karrierës, nëpërmjet një fushate transparente ndaj publikut dhe sistemit. Ne do të dimë lexojmë siç duhet sugjerimet e asaj pjese të trupës gjyqësore që ka marrë pjesë në këtë sondazh.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është më shumë se kurrë i vendosur të emërojë dhe të transferojë njerëzit më të mirë të sistemit dhe kjo të vijë si pasojë e një procesi të hapur dhe të ndershëm, bazuar në meritë dhe rezultate.
KLD-ja është e vendosur të luajë një rol aktiv për rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në gjyqësor. Profesionalizmi dhe përgjegjshmëria përpara ligjit, fillon në radhë të parë me ata persona që e zbatojnë atë.
Prandaj dhe nisma të tilla janë për tu vlerësuar dhe duhen përshëndetur.

Ne synojmë rritjen e rolit protagonist të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sepse e kuptojmë që në një kohë si kjo nuk mund të jemi pasivë.

Ne do të bëjmë çmos për të rikthyer besimin e gjyqtarëve tek sistemi.
Ne do të bëjmë çmos për të garantuar publikun se sistemi është i drejtë dhe ligji do të zbatohet.
Në demokraci kjo është e vetmja mundësi.

Në përfundim dëshiroj të garantoj shqiptarët që drejtësia është më shumë se sa një objektiv për Ne, dhe jemi të vendosur t'ua japim atë gjyqtarëve në të njëjtën mënyrë siç do të kërkojmë prej tyre ta zbatojnë atë.

Ju faleminderit.