Kontrolli i Gjykatave Dhe Kontrolli i Gjyqtarëve

Ligji Nr. 8811, datë 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, parashikon se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.

Ligji parashikon dy lloje kontrolli, kontrollin e gjyqtarëve dhe kontrollin e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.

Kontrolli i gjyqtarëve realizohet nëpërmjet verifikimit të ankesave të shtetasve dhe të subjekteve të tjera, si dhe nëpërmjet inspektimit të përgjithshëm apo tematik, që konsiston në verifikimin e veprimtarisë gjyqësore dhe jashtëgjyqësore të tyre.

Kontrolli i gjykatave realizohet nëpërmjet inspektimit të përgjithshëm apo tematik, që konsiston në verifikimin e veprimtarisë administrative të tyre.

Verifikimi i ankesave të shtetasve apo subjekteve të tjera për veprime të gjyqtarëve që vlerësohen në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës kryhet vetëm atëherë kur në ankesë parashtrohen fakte apo rrethana, konfirmimi i të cilave do të sillte fillimin e një nisme disiplinore ndaj gjyqtarëve konkretë.

Inspektimi i përgjithshëm apo tematik i zakonshëm i gjyqtarëve kryhet në cdo rast kur vlerësohet i nevojshëm grumbullimi i të dhënave konkrete për përmbushjen e rregullt të detyrës nga ata.

Inspektimi i përgjithshëm apo tematik i jashtëzakonshëm i gjyqtarëve kryhet atëherë kur për gjyqtarë konkretë ekzistojnë të dhëna që vënë në dyshim përmbushjen e rregullt të detyrës nga ata.

Inspektimi i përgjithshëm apo tematik i zakonshëm i gjykatave kryhet në cdo rast kur vlerësohet i nevojshëm grumbullimi i të dhënave konkrete rreth funksionimit normal të tyre.

Inspektimi i përgjithshëm apo tematik i jashtëzakonshëm i gjykatave kryhet atëherë kur për gjykata konkrete ekzistojnë të dhëna që vënë në diskutim funksionimin normal të tyre.

Veprimtaria gjyqësore e gjyqtarëve si dhe sjelljet e lejuara apo të ndaluara gjatë ushtrimit të funksionit janë të normuara në ligjet materiale, procedurale si dhe ligje të tjera organike.

Veprimtaria jashtëgjyqësore e gjyqtarëve është e normuar në Kodin e Etikës Gjyqësore si dhe në ligjin organik të pushtetit gjyqësor.

Veprimtaria administrative e gjykatës është e normuar në ligjet procedurale, si dhe aktet nënligjore të Ministrit të Drejtësisë.

Verifikimi i ankesave kryhet në cdo rast, me urdhër të Kryeinspektorit.

Inspektimi i përgjithshëm apo tematik, i zakonshëm apo i jashtëzakonshëm, kryhet në cdo rast me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Inspektimi i veprimtarisë së gjyqtarëve dhe gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit kryhet edhe nga Ministri i Drejtësisë, ashtu sikundër ato mund të kryhen në bashkëpunim të strukturave respektive të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me ato të Ministrisë së Drejtësisë.