Detyrat e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Kreu 3, së pari krijon Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryeinspektori dhe inspektorët emërohen nga Këshilli, me propozim të Zëvendëskryetarit dhe, të gjithë kandidatët duhet të përmbushin kualifikimet për të qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit ose, përveç kësaj, të kenë shërbyer si gjyqtar për të paktën 5 vjet.
 
Inspektorët emërohen për afate 5-vjeçare dhe drejtohen nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, megjithëse është Kryeinspektori ai që organizon veprimtarinë e përditshme. Megjithëse Inspektorati ka funksione të tjera, neni 16 shpjegon detyrat e Inspektoratit lidhur me procedurat e ankimeve:
 
  a)       Verifikon ose i dërgon Ministrit të Drejtësisë për trajtim ankesat e shtetasve dhe të subjekteve të tjera që i drejtohen Këshillit të Lartë të Drejtësisë për veprime të gjyqtarëve, të vlerësuara në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës. Verifikon ankesat e shtetasve dhe të subjekteve të tjera drejtuar Ministrit të Drejtësisë, të cilat gjykohen prej tij për t’u ndjekur nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
           
 b)        Verifikimi kryhet vetëm pasi gjyqtari të jetë vënë në dijeni paraprakisht. Inspektorati verifikon nëse ankesat përmbajnë fakte dhe rrethana që mund të përbëjnë shkak ligjor për procedimin disiplinor, si dhe për vlerësimin moral e profesional të gjyqtarëve.
           
 c)        Në rastin kur vërehen shkaqe ligjore për procedimin disiplinor, relacioni shpjegues dhe dokumentacioni përkatës, nëpërmjet Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i dërgohen menjëherë Ministrit të Drejtësisë për të gjykuar për procedimin disiplinor.
           
 ç)        Kryen verifikime për procedimin disiplinor të propozuar nga Ministri i Drejtësisë, në rastet kur çmohet dhe kërkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet në mbledhjen e Këshillit nga Zëvendëskryetari.
 
 
Nga ana tjetër, neni 31 (“Procedimi Disiplinor”) thotë:
 
   1.      Ministri i Drejtësisë kryen inspektimin e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit për organizimin dhe punën e shërbimeve gjyqësore, administrimin gjyqësor, si dhe realizon e vendos për procedimin disiplinor të gjyqtarëve të tyre.
 
   2.      Ministri i Drejtësisë kryen inspektime sipas programeve të posaçme tematike ose territoriale, të hartuara kryesisht ose në zbatim të detyrave të caktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në vijim të procesit të verifikimit të ankesave të shtetasve dhe të subjekteve juridike, si dhe sipas të dhënave, për të cilat vihet në dijeni kryesisht ose nëpërmjet Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
   3.      Në përfundim të inspektimit dhe në bazë të rezultateve të këtij inspektimi, Ministri i Drejtësisë propozon procedimin disiplinor të gjyqtarëve para Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe depoziton dokumentacionin përkatës pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
   4.      Kërkesa për procedim disiplinor, përveç dokumentacionit me të dhënat përkatëse, të cilat provojnë shkeljen e bërë nga gjyqtari, përmban edhe propozimin për llojin e masës disiplinore që gjykohet se duhet të merret ndaj gjyqtarit të proceduar disiplinisht.
 
   5.      Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kur ngarkohet me detyra verifikuese, është i detyruar që, brenda 15 ditëve, të kryejë procedurat e verifikimit dhe të depozitojë raportin përkatës.
 
   6.      Ministri i Dejtësisë vë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë për rastet dhe për motivet e mosfillimit të procedimit disiplinor të gjyqtarit në kushtet e shkronjës “a” pika 1 e nenit 16 të këtij ligji.
 
Praktika e deritanishme e krijuar në zbatim të Ligjit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka konsoliduar dy mënyra të ndryshme disiplinimi. E para është disiplinimi në përgjigje të një ankimi. Inspektorati i Këshillit pasi merr ankimet, ose i verifikojnë dhe ia dërgojnë Ministrit të Drejtësisë, ose thjesht ia dërgojnë direkt Ministrit të Drejtësisë. Pasi ankimi i shkon Ministrit të Drejtësisë, ai ka autoritetin që ta vazhdojë verifikimin dhe pastaj të japë një gjykim nëse duhet filluar proçedimi disiplinor.
 
Mënyra e dytë është proçedimi disiplinor në përgjigje të vlerësimeve të dobëta të rezultateve në rastet e kontrolleve të përgjitshme tematike. Neni 31 supozon që Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë kanë kompetenca të bollshme për të drejtuar inspektime dhe për të filluar procedime disiplinore të bazuara në ato inspektime.
 
Pavarësisht nga mënyra se si kryhen inspektimet e përgjithshme, ashtu si në rastin e ankimeve, Ministri i Drejtësisë ka autoritetin që të propozojë fillimin e proçedimit disiplinor.
 
Siç është hartuar aktualisht, ligji parashikon një sërë të drejtash për gjyqtarët që çohen në seanca disiplinore. Verifikimi i ankimeve të pasuara nga inspektimi mund të procedojë vetëm pasi gjyqtari është njoftuar paraprakisht për një ankim. Në përfundim të hetimit, qoftë Ministria e Drejtësisë,  apo Inspektorati i KLD-së, duhet t’i kërkojnë gjyqtarit që të paraqesë pretendimet e tij me shkrim për dokumentacionin përfundimtar dhe ka të drejtë që të njihet me dokumentacionin.