Ankesa Online

Ankesa Online

Mesazh Sensibilizues

 

 

  

Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Pyetje - Përgjigje

- A kam të drejtë të ankohem?

Çdo shtetas apo subjekt tjetër që ndihet i cenuar nga një proces gjyqësor ka të drejtë të ankohet.


- Ku të ankohem?

Ju mund ta drejtoni ankesën tuaj për veprimtarinë e një gjyqtari pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili është autoriteti shtetëror përgjegjës për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.

Adresa:
Këshilli i Lartë i Drejtësisë
Blvd. "Zog I", Tiranë, Shqipëri
Tel/faks: +355 4 2259817 dhe +355 4 2259822.
e-mail: kontakt @ kld.al ose në rubrikën "Ankesa online" në adresën kld.al

Por kujdes! Pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë ju mund të ankoheni për çështje etike dhe solemniteti, zvarritje dhe mosrespektim formal të ligjit nga një gjyqtar. Nëse ju jeni palë në një proces gjyqësor dhe dëshironi të ankoheni për zgjidhjen e themelit të çështjes, atëherë ankesa juaj duhet t'i paraqitet një gjykate më të lartë.


- Si të veproj?

Pasi të keni shprehur në formë të shkruar dhe qartë në formularin e ankesave online, identitetin Tuaj, shkeljen apo rrethanat konkrete të pretenduara, kohën e ndodhjes së shkeljes së pretenduar, gjykatën apo gjyqtarin ndaj të cilës/cilit adresohet ankesa, të shoqëruar, kur është rasti, me dokumente apo burime provuese të fakteve apo rrethanave të pretenduara, mund ta depozitoni atë nëpërmjet shërbimit postar, drejtpërdrejt në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose me email në adresën e-mail: kontakt @ kld.al ose në rubrikën "Ankesa online" në adresën kld.al

Kujdes: Mungesa e këtyre elementëve në formularin e ankesës passjell moskryerjen e veprimeve verifikuese.


- Për çfarë mund të ankohem?

Objekt i ankesës tuaj mund të jenë:
1. Faktet apo rrethanat që kanë të bëjnë me mosfunksionimin normal të gjykatës apo të zyrës së gjyqtarit;
2. Kryerja e veprimeve që bien në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose moskryerja e veprimeve të detyrueshme procedurale nga ana e gjyqtarit, të tilla si: mosrespektimi i solemnitetit gjatë gjykimit; nxjerrja e dekretit të hetimit apo e të dhënave të tjera me karakter intim; zvarritje të pajustifikuara të procesit gjyqësor; mungesë të etikës profesionale në komunikim; mungesë të kujdesit në motivimin ligjor të vendimit gjyqësor apo për një mënyrë të vepruari me pasoja për palët në proces gjyqësor, të tilla si anshmëria apo favorizimi i njërës palë;
3. Faktet apo rrethana që mund të konsiderohen shkelje të etikës së gjyqtarit.


- Si procedohet me ankesën time?

Çdo ankesë drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi regjistrohet i kalon për trajtim Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili kryen verifikimet e nevojshme. Në rastin kur ankesa vlerësohet e papërshtatshme në formë dhe në përmbajtje, kryhet arkivimi i saj. Një ankesë mund të arkivohet pa u verifikuar edhe kur ajo është e ripërsëritur dhe nuk parashtron fakte e rrethana të reja të vlefshme për verifikim. Në çdo rast ju do të merrni një përgjigje për ankesën tuaj.


- Në cilat raste NUK mund të shqyrtohet një ankesë?

Ekzistojnë disa raste kur një ankesë NUK mund të bëhet objekt verifikimi:
1. Në rast se veprimet e parashtruara në ankesë mund të zgjidhen me anë të apelimit gjyqësor, thënë ndryshe, në rast se këto pretendime lidhen me fakte apo rrethana që kanë të bëjnë me interpretimin dhe zbatimin e ligjit në një rast konkret nga ana e gjyqtarit dhe për të cilat mund të bëhet ankim në gjykatat më të larta (në gjykatat e apelit apo në Gjykatën e Lartë);
2. Në rast se kërkesë-ankesa lidhet me përjashtimin e gjyqtarit nga gjykimi i një çështjeje konkrete apo me transferimin e çështjes në një gjykatë tjetër;
3. Në rast se ankesa lidhet me sjelljen në jetën private të gjyqtarit, përveçse kur ajo ka shkaktuar jehonë të gjerë në publik e lidhet me detyrën e tij dhe vlerësohet se është diskredituese për figurën e gjyqtarit;
4. Në rast se shkelja e pretenduar nga palët në proces e tejkalon kufirin kohor prej 3 vjetësh që nga koha e kryerjes së saj.


- Sa duhet të pres për të marrë një përgjigje?

Në rastin kur vlerësohet se në një ankesë nuk ka vend për verifikim, ankuesit i kthehet menjëherë përgjigje nga Kryeinspektori, ku parashtrohen shkaqet dhe arsyet e moskryerjes së verifikimit. Në të kundërt, ankuesi duhet të presë derisa të përfundojë procesi i verifikimit, i cili mund të zgjasë nga 1 deri në 30 ditë që nga koha e regjistrimit në regjistrin e ankesave që administrohet nga Zyra e Protokollit. Ky afat mund të shtyhet nga Kryeinspektori, me kërkesë të inspektorit të ngarkuar për të kryer verifikimin, për shkaqe për përligjura.


- Cilat janë procedurat që ndjek Këshilli i Lartë i Drejtësisë në shqyrtimin e një ankese?

Në çdo rast ju do të merrni një përgjigje për ankesën tuaj. Si rregull, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kur ngarkohet me detyra verifikuese, është i detyruar që, brenda një afati të arsyeshëm, të kryejë procedurat e verifikimit dhe të depozitojë raportin përkatës.

Në përfundim të inspektimit, në rast se konstatohen shkelje, materiali përkatës i dërgohet Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë është subjekti i vetëm që, sipas ligjit, gëzon të drejtën për të propozuar inicimin e procedimit disiplinor të gjyqtarëve para Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe depoziton dokumentacionin përkatës pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kërkesa e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor, përveç dokumentacionit me të dhënat përkatëse, të cilat provojnë shkeljen e bërë nga gjyqtari, përmban edhe propozimin për llojin e masës disiplinore që gjykohet se duhet të merret ndaj gjyqtarit të proceduar disiplinarisht.


- Nëse unë ankohem, a do të thirrem dhe të dëgjohem për pretendimet e mia përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë?

Ankuesi, nëse është e nevojshme, mund të japë sqarime para Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë lidhur me pretendimet e parashtruara në ankesë, por gjatë procesit të procedimit disiplinor të gjyqtarit ai nuk është palë në proces dhe për pasojë nuk do të thirret për t'u dëgjuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.


- A do të dëgjohet gjyqtari ndaj të cilit jam ankuar?

Po! Në çdo rast duhet të dëgjohet edhe gjyqtari që ka kryer shkelje. Këshilli i Lartë i Drejtësisë përpara se të marrë vendimin duhet të dëgjojë pretendimet e gjyqtarit që procedohet i cili ka të drejtë të mbrohet vetë ose në prani të një avokati gjatë seancës.


- Kur mund të shkarkohet një gjyqtar dhe çfarë masash disiplinore merren ndaj gjyqtarit?

Sipas nenit 147, pika 6, të Kushtetutës, gjyqtari mund të shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore apo fizike, për akte që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose për pamjaftueshmëri profesionale.
Përveç shkarkimit, masat disiplinore që Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të marrë për një gjyqtar, për shkelje të disiplinës, si dhe akte dhe sjellje të tjera diskredituese, janë:
1. Vërejte;
2. Vërejtje me paralajmërim;
3. Pezullim nga detyra dhe kalim në një detyrë tjetër më të ulët brenda gjykatës për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit.