Historiku i krijimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Një sistem gjyqësor i pavarur është një ndër gurët e themelit të një shteti demokratik, të mbështetur nga shteti i së drejtës. Asnjë organ gjyqësor, sidoqoftë, nuk duhet të jetë i lirë nga verifikimet dhe të gjithë gjyqtarët duhet t’u përmbahen standarteve të larta të kompetencës, paanësisë dhe ndershmërisë. Për të arritur këto objektiva, një sistem demokratik duhet të sigurojë që presioni i panevojshëm nga pushtete të tjera, të mos e dobësojë aftësinë e gjyqësorit për të marrë vendime në përputhje me ligjin.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD-ja) është organi më i rëndësishëm drejtues që përpiqet të ruajë ekuilibrin në sistemin ligjor shqiptar. Ky organ u krijua në prill të vitit 1992, nga një ndryshim në Dispozitat Kushtetuese. Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe veprimtaria e tij u parashikuan nga Kushtetuta aktuale në Pjesën 9 të saj, ndërkohë që struktura përcaktohet kryesisht në nenin 147.

Legjislacioni i mëvonshëm, i përfunduar në vitin 2002, parashikoi kuadrin ligjor për të rregulluar funksionimin e këtij organi që tashmë ekzistonte prej disa vitesh. Sipas dispozitave kushtetuese dhe rregullimeve ligjore KLD-ja nuk është një gjykatë, por një organ i përzier ekzekutivo-gjyqësor, që mbikqyr dhe kontrollon gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit. Organe të ngjashme ekzistojnë në një sërë vendesh të Evropës perëndimore, tashmë të përfaqësuara nga Rrjeti Evropian i Këshillave për Gjyqësorin.

Funksionet e tij përfshijnë emërimin e gjyqtarëve, transferimin e gjyqtarëve, vlerësimin periodik të gjyqtarëve, hetimin e ankesave kundër veprimtarisë jashtë gjyqësore të gjyqtarëve, masat disiplinore dhe shkarkimin e gjyqtarëve.

Me kompetencat e saj për emërimin, vlerësimin dhe disiplinën gjyqësore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbën një institucion themelor për sigurimin e integritetit të sistemit ligjor shqiptar. Mënyra si Këshilli i Lartë i Drejtësisë është strukturuar aktualisht është vlerësuar nga të gjithë faktorët që monitorojnë reformën në sistemin gjyqësor. Nga ana organizative, në shumë aspekte ai është një model drejtpeshimi. Anëtarët e ekzekutivit kanë funksione administrativë të rëndësishme dhe gjithashtu anëtarët e Këshillit të emëruar nga Parlamenti zënë një vend të rëndësishëm në Këshill, shumica e anëtarëve të Këshillit janë gjyqtarë. Prandaj, pushteti gjyqësor i pavarur ka peshën më të madhe në disiplinimin e anëtarëve të tij, por ky pushtet konrollohet nga Kryetari dhe Ministri i Drejtësisë.

KLD-ja ka tashmë baza të forta ligjore për nxitjen e një gjyqësori të paanshëm, të aftë dhe të pavarur.
Zbatimi i kornizës ligjore mund të bëjë që struktura organizative të arrijë edhe operativitetin e duhur të këtij organi dhe mund të ndihmojë për të ndërtuar dhe mbrojtur shtetin e së drejtës në Shqipëri.