Vendim Nr.53 datë 27.03.2019

PËR CAKTIMIN E ANËTARËVE ZËVENDËSUES NË KOMISIONIN E PËRKOHSHËM PËR SHQYRTIMIN E ANKIMEVE KUNDËR VENDIMEVE TË KRYEINSPEKTORIT TË ISH KËSHILLIT TË LARTË TË DREJTËSISË, PËR ARKIVIMIN E ANKESËS OSE PUSHIMIN E HETIMIT NDAJ NJË GJYQTARI

Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenet 147/1, 147/a, pika 2 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 62, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në vendimin nr. 32, datë 14.02.2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Mbi përbërjen e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të kryeinspektorit të ish këshillit të lartë të drejtësisë për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari”,

V E N D O S I:

  1. Komisioni i Përkohshëm për Shqyrtimin e Ankimeve kundër vendimeve të Kryeinspektorit të ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, të ketë dhe anëtarë zëvendësues.
  1. Mënyra e përzgjedhjes së anëtarit zëvendësues, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, bëhet sipas të njëjtës procedurë me të cilën zgjidhen anëtarët e këtij Komisioni, me short, referuar vendimit nr.31, datë 14.02.2019, të Këshillit, “Mbi ngritjen e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të kryeinspektorit të ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari”.
  1. Në çdo rast, në zgjedhjen e anëtarit zëvendësues, duhet të respektohet rregulli që një anëtar i këtij komisioni që është gjyqtar të zëvendësohet po nga një anëtar tjetër gjyqtar dhe një anëtar jo gjyqtar zëvendësohet nga një anëtar tjetër jo gjyqtar.
  2. Anëtarë zëvendësues të Komisionit, të parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, pas hedhjes së shortit, janë:

- Z. Erjon Muharremaj – anëtar zëvendësues për një anëtar jo gjyqtar;

- Z. Medi Bici – anëtar zëvendësues për një anëtar gjyqtar.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

PËR

KËSHILLIN E LARTË GJYQËSOR