Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr.30 datë 14.02.2019

MBI MIRATIMIN E VENDIMIT PËR RREGULLAT DHE PROCEDURËN E CAKTIMIT TË GJYQTARIT PËR GJYKIMIN E NJË ÇËSHTJEJE GJYQËSORE TË VEÇANTË NË NJË GJYKATË TJETËR, TË NDRYSHME NGA AJO KU USHTRON FUNKSIONIN NË MENYRË TË PËRHERSHME

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i mbledhur sot më datë 14.02.2019, bazuar në nenet 4/3, 147/1, 147/a, pika 1 germa “a” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 2 dhe 89 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës,

V E N D O S I :

  1. Miratimin e vendimit “Për rregullat dhe procedurën e caktimit të gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme” sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
  1. Kërkesat e ardhura para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nga kryetarët e gjykatave, nëpërmjet të cilave është kërkuar delegim i gjyqtarëve për të plotësuar trupat gjykues, do të trajtohen bazuar në rregullat dhe procedurën e parashikuar në këtë vendim.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

VENDIM

 

PËR RREGULLAT DHE PROCEDURAT E CAKTIMIT TË GJYQTARIT PËR GJYKIMIN E NJË ÇËSHTJEJE GJYQËSORE TË VEÇANTË NË NJË GJYKATË TJETËR, TË NDRYSHME NGA AJO KU USHTRON FUNKSIONIN NË MENYRË TË PËRHERSHME

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenet 4/3, 147/1, 147/a, pika 1 germa “a” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 2 dhe 89 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në rastet kur skema e delegimit dhe transferimi i përkohshëm janë të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur nevojave aktuale të gjykatave, me autoritetin që i buron nga Kushtetuta për të siguruar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor,

 

VENDOSI:

 

  1. I.Objekti

 

1.   Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të detajuara për kriteret dhe procedurën e caktimit të gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme.

 

II. Fusha e zbatimit

 

  1. Ky vendim aplikohet në rast të pamundësisë së zbatimit të neneve 45 dhe 46 të Ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

 

III. Përkufizime

 

1.   Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

 

a) “Caktimi i gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë” nënkupton caktimin e një gjyqtari, nga gjykata ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme, në një gjykatë tjetër, kur kjo e fundit ka një nevojë konkrete që lidhet me gjykimin e një ose disa çështjeve gjyqësore.

 

b.“Nevojat e gjykatës” nënkupton mungesën apo padisponueshmërinë ligjore të gjyqtarëve të një gjykate për gjykimin e një apo disa çështjeve gjyqësore.

 

IV. Parimet dhe kriteret e caktimit të gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme

 

  1. Procesi i caktimit të gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme, kryhet në respektim të parimeve të pavarësisë, të paanësisë, të palëvizshmërisë dhe të transparencës, si dhe të detyrimit kushtetues për mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor.
  2. Caktimi i gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme, behet me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi bazën e shortit të hedhur ndërmjet gjyqtarëve të gjykatave të të njëjtit nivel gjykimi.
  3. Në caktimin e gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme, Këshilli i Larte Gjyqësor mban parasysh mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor në përgjithësi, situatën në gjykatat mes të cilave ndodh caktimi i gjyqtarit në veçanti, si dhe ngarkesën individuale të punës së gjyqtarit që caktohet.
  4. Gjyqtari, brenda të njëjtës periudhe kohe, si rregull, nuk caktohet të gjykoje çështje gjyqësore të veçanta në më shumë se një gjykatë, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme. Përjashtimisht, referuar nevojave dhe urgjencës, Këshilli i Lartë Gjyqësor mund të vendos ndryshe.

 

5 Këshilli i Lartë i Gjyqësor në caktimin e gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë në një gjykatë të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme, mban parasysh tërësinë e kritereve si më poshtë:

 

a.afërsinë gjeografike të gjykatës në nevojë me atë nga e cila caktohet gjyqtari;

 

b.juridiksionin në nivel apeli të gjykatës në nevojë dhe asaj nga e cila caktohet gjyqtari;

 

c.lëndën e çështjes gjyqësore për gjykimin e të cilës gjykata është në nevojë;

 

ç)   ndarjen në seksione të gjykatës nga e cila caktohet gjyqtari;

 

d.ngarkesën e gjyqtarëve të gjykatës nga e cila caktohet gjyqtari;

 

e.shpërndarjen e barabartë dhe caktimit me efektivitetit të gjyqtarëve.

 

V. Paraqitja e kërkesës për caktimin e gjyqtarit për gjykimin e një çështje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme

 

  1. Kryetari, jo më vonë se tre ditë pune nga verifikimi i një nevoje konkrete, i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për caktimin e një gjyqtarit për gjykimin për një ose disa çështje gjyqësore.

 

2.Kërkesa paraqitet sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi.

 

VI. Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e gjyqtarit për një çështje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme

 

  1. Komisioni i Zhvillimit të Karrierës shqyrton kërkesën për caktim gjyqtari për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme, në varësi të shkallës së urgjencës së saj.

 

2.Komisioni i Zhvillimet të Karrierës kërkon dhe merr nga kryetaret e gjykatave informacionin e nevojshëm sipas paragrafit 5, pika 4, germat “ç” dhe “d”të këtij vendimi.

 

3.Komisioni i Zhvillimit të Karrierës për lehtësi të trajtimit të kërkesave, të dhënat e nevojshme i përpunon në formë tabelore.

 

4.Për kërkesën apo grup kërkesat për caktim gjyqtari që paraqiten nga e njëjta gjykatë, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës përgatit një relacion me shkrim, përmes të cilit, në zbatim të kritereve të këtij vendimi, i propozon Këshillit të Lartë të Gjyqësor gjykatat nga duhet të përzgjidhen, me short, gjyqtarët që do të caktohen për gjykimin e tyre, si dhe numrin përkatës të gjyqtarëve.

 

5.Këshilli i Lartë i Gjyqësor vlerëson pajtueshmërinë e propozimit të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës me kriteret e përcaktuara në këtë vendim, duke miratuar propozimin e Komisionit ose duke vendosur në një mënyrë tjetër.     

 

VII. Caktimi i gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme

 

  1. Caktimi i gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme, si rregull, nëse kjo është e mundur, bëhet nëpërmjet përzgjedhjes me anë të shortit elektronik. Kur kjo nuk është e mundur, përzgjedhja e gjyqtarit bëhet nëpërmjet shortit manual
  2. Nëse nevoja e gjykatës konsiston vetëm në një çështje gjyqësore të veçantë, gjyqtari që caktohet për gjykimin e saj përzgjidhet me short nga gjyqtarët e gjykatës së përcaktuar më parë.
  3. Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në parimin e efektivitetit, cakton një gjyqtar për gjykimin e më shumë se një çështjeje në të njëjtën gjykatë. Këshilli vlerëson kompleksitetin dhe numrin e çështjeve gjyqësore, ku caktohet gjyqtari.
  4. Në rastin e nevojave të gjykatës së apelit për një çështje gjyqësore të veçantë, që konsiston në caktimin e më shumë se një gjyqtari për gjykimin e saj, si rregull, përzgjedhja me short e një gjyqtari nga gjyqtarët e gjykatës së apelit të përcaktuar më parë, nënkupton përzgjedhjen me short, për gjykimin e asaj çështjeje gjyqësore, edhe të gjyqtarëve të tjerë që janë në të njëjtin trup gjykues me gjyqtarin e përzgjedhur i pari, i cili do të jetë relatori i çështjes. Kur nevoja konsiston në caktimin e dy gjyqtareve, përveç gjyqtarit të përzgjedhur i pari me short, gjyqtari tjetër caktohet duke u përzgjedhur, përmes shortit, midis dy gjyqtarëve të tjerë të trupit gjykues ku bën pjesë gjyqtari i përzgjedhur i pari.
  5. Për shortin ndiqen procedurat e përcaktuara në piken IX të këtij vendimi.

 

VIII. Përjashtimi i gjyqtarit nga caktimi për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme

 

  1. Përjashtohet nga shorti çdo gjyqtar i identifikuar se ka pengesë ligjore për të gjykuar një çështje gjyqësore të veçantë.
  2. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendos përjashtimin nga shorti deri në tre muaj të një gjyqtari, i cili, është caktuar për të gjykuar në 10 çështje gjyqësore ose në 5 çështje në gjykatat për krime të rënda.
  3. Kryetari i gjykatës së rrethit gjyqësor dhe i gjykatës së apelit, për shkak të përgjegjësive të tjera që vijnë nga ushtrimi i funksionit respektiv, si rregull, përjashtohen nga kualifikimi si gjyqtar që plotëson kriteret për t’u caktuar për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë. Përjashtimisht, për arsye objektive, ai përfshihet në listat e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në masën 50% të volumit të çështjeve.
  4. Gjyqtari anëtar i Kolegjit Zgjedhor, gjatë periudhës zgjedhore, për shkak të ngarkesës në mosmarrëveshjet zgjedhore, si rregull, përjashtohen nga kualifikimi si gjyqtar që plotëson kriteret për t’u caktuar për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë. Përjashtimisht, për arsye objektive, ai përfshihet në listat e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në masën 50% të volumit të çështjeve.
  5. Gjyqtari anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për shkak të përgjegjësive të tjera që vijnë nga ushtrimi i funksionit respektiv, si rregull, përjashtohen nga kualifikimi si gjyqtar që plotëson kriteret për t’u caktuar për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë. Përjashtimisht, për arsye objektive, përfshihet në listat e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në masën 50% të volumit të çështjeve.
  6. Me kërkesë të motivuar të gjyqtarit dhe të shoqëruar me aktet e nevojshme provuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor, për arsye shëndetësore, mund të vendosë përjashtimin gjer në gjashtë muaj të një gjyqtari nga lista e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.

 

IX. Procedura e shortit manual

 

  1. Përmes procedurave të shortit përzgjidhet në mënyrë rastësore një apo disa gjyqtarë për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë të gjykatës në nevoje.
  2. Në çdo procedurë shorti, fillimisht identifikohen gjyqtarët që plotësojnë kriteret e caktimit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, duke u shënuar emrat e tyre në një shirit të barabartë letre, me shkrim times new roman 14, bold.
  3. Më pas, identifikohet çështja gjyqësore e veçantë përmes një numri natyror të vendosur aty për aty, duke u shënuar në një shirit të barabartë letre, me shkrim times new roman 14, bold.
  4. Shiritat e letrës verifikohen për saktësinë e tyre nga nëpunësi i administratës. Pas verifikimit, ky i fundit i palos shiritat në mënyrë të njëjtë dhe i vendos në kutitë përkatëse duke i përzier, me qëllim garantimin e përzgjedhjes rastësore.
  5. Në rastin kur nevoja e gjykatës konsiston vetëm në një çështje gjyqësore të veçantë, pas përzierjes së shiritave në kutinë përkatëse me emrat e gjyqtareve, tërhiqet njëri prej shiritave të letrës përmes se cilit identifikohet gjyqtari i përzgjedhur nga shorti për gjykimin e asaj çështjeje gjyqësore dhe nëpunësi i administratës e deklaron me zë të lartë emrin e tij.
  6. Në rastin kur nevoja e gjykatës konsiston në një numër të kufizuar çështjesh gjyqësore, për të cilat Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur gjykimin e tyre nga një gjyqtar i vetëm, pas përzierjes së shiritave të letrës në kutinë përkatëse me emrat e gjyqtareve, tërhiqet njëri prej shiritave përmes se cilit identifikohet gjyqtari i përzgjedhur nga shorti për gjykimin e atyre çështjeve gjyqësore dhe nëpunësi i administratës e deklaron me zë të lartë emrin e tij.
  7. Në rastin kur nevoja e gjykatës konsiston në disa çështje gjyqësore, për të cilat Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur gjykimin e tyre nga më shumë se një gjyqtar, shorti zhvillohet sipas hapave të mëposhtëm:

 

  1. Fillimisht, pas përzierjes së shiritave të letrës në kutinë përkatëse me emrat e gjyqtareve, tërhiqen shirita në atë numër që i korrespondon numrit të gjyqtarëve që Këshilli ka vendosur, shirita përmes së cilëve identifikohen gjyqtaret e përzgjedhur nga shorti për gjykimin e atyre çështjeve gjyqësore dhe nëpunësi i administratës i deklaron me zë te lartë emrat e tyre.
  2. Shorti më pas vazhdon duke futur shiritat e letrës me emrat e gjyqtarëve të përzgjedhur në këtë mënyrë në një kuti të veçantë.
  3. Më tej shorti vazhdon me përzierjen e shiritave të letrës në kutinë përkatëse me numrat e çështjeve gjyqësore, duke u tërhequr njëri prej shiritave, përmes së cilit identifikohet numri i çështjes gjyqësore (caktuar në fillim të procedurës së shortit) që është përzgjedhur nga shorti dhe nëpunësi i administratës e deklaron me zë të lartë atë.
  4. Shorti vijon me përzierjen e shiritave të letrës në kutinë me emrat e gjyqtarëve duke u tërhequr një prej shiritave, i cili deklarohet me zë nga nëpunësi i administratës. Gjyqtari, emri i të cilit është i shënuar në shiritin e tërhequr, konsiderohet si i përzgjedhur nga shorti për çështjen gjyqësore, shiriti i të cilës është tërhequr më parë.
  5. Në ketë mënyrë, procedura e shortit vijon për të gjitha çështjet gjyqësore për të cilat zhvillohet shorti.
  6. Në rastet kur numri i çështjeve gjyqësore për të cilat duhet të hidhet shorti është më i madh se numri i gjyqtareve, shorti vazhdon duke rifutur përsëri shiritat me emrat e gjyqtarëve në kutinë përkatëse.Në rastin e nevojave të gjykatës se apelit për caktimin e dy gjyqtarëve për një çështje gjyqësore të veçantë, pas përzgjedhjes së një gjyqtari sipas procedurës së përcaktuar në piken 7 të këtij neni, gjyqtari tjetër përzgjidhet përmes shortit të hedhur midis dy gjyqtarëve të tjerë të trupit gjykues ku bën pjesë gjyqtari i përzgjedhur i pari. Në këtë rast emrat e dy gjyqtarëve të tjerë shënohen në shirita letre si më lart, duke u vendosur në një kuti të veçantë, ku pas përzierjes së tyre, nëpunësi i administratës tërheq njërin prej tyre dhe deklaron me zë të lartë emrin e gjyqtarit, i cili konsiderohet si i përzgjedhur nga shorti për atë çështje gjyqësore të veçantë.

 

X. Njoftimi i vendimit të caktimit të gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme

 

1.   Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor i komunikohet kryetarit të gjykatës në nevojë dhe gjyqtarit të caktuar.

 

XI. Shpenzimet

 

1.   Përballimi i shpenzimeve të gjyqtarit në rastin e caktimit për gjykimin e një çështjeje të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme, do bëhet bazuar në legjislacionin në fuqi.

 

XII. Hyrja në fuqi

 

  1. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.   

                         PËR KËSHILLIN E LARTË GJYQËSOR