Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr.25 datë 7.02.2019

MBI INFORMACIONIN PERIODIK TË KRYETARËVE TË GJYKATAVE NË LIDHJE ME VEPRIMTARINË GJYQËSORE

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i mbledhur më datë 07.02.2019, mbështetur në nenet 22, 37 të ligjit nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në nenet 61, 71, 75, 82 dhe 96 të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe nenet 83, 89, dhe 92 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, me propozim të Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale,

VENDOSI:

  1. Kryetarët e të gjitha gjykatave në Republikën e Shqipërisë, duhet të informojnë periodikisht Këshillin e Lartë Gjyqësor në lidhje me:
    1. Ngarkesën e çështjeve gjyqësore për gjykatën dhe çdo gjyqtar të saj, evidentimin e numrit të çështjeve të mbartura nga vitet paraardhëse, si dhe numrin e çështjeve të zvarritura tej afateve të arsyeshme të përcaktuara në nenin 399/2 të K.Pr.Civile, respektivisht për secilën shkallë gjykimi.
    2. Respektimin e etikës dhe solemnitetit nga ana e trupës gjyqësore.
    3. Numrin e kërkesave për heqje dorë të miratuara nga kryetari i gjykatës për çdo gjyqtar si dhe të vendimeve për përjashtim gjyqtari të pranuara me kërkesë të palëve për shkak të konfliktit të interesit, bashkë me emrin e gjyqtarit të përjashtuar.
    4. Funksionimin e sistemit të regjistrimit audio dhe nivelin e përdorimit të tij nga secili gjyqtar. Paraqitjen në përqindje të numrit të seancave gjyqësore që regjistrohen në sistemin audio dhe shkaqeve për të cilat procesverbalet mbahen me mjete të tjera (kompjuter apo dorëshkrim). Evidentimin në përqindje të seancave gjyqësore të filluara me vonesë nga secili gjyqtar.
    5. Gjendjen e përdorimit dhe funksionimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve, së bashku me nevojat e konstatuara për përditësimin e këtij sistemi.
    6. Problematika të shfaqura në lidhje me vonesat në dorëzimin e vendimeve të arsyetuara.
    7. Çdo problematikë tjetër të evidentuar.
  1. Informacioni i parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, do të përgatitet mbi baza 3-mujore, konkretisht, sipas muajve, janar–mars, prill–qershor, korrik–shtator dhe tetor–dhjetor. Brenda çdo jave të parë të muajit respektiv pasardhës, do të kryhet raportimi nga kryetarët e gjykatave, duke filluar ky raportim nga java e parë e muajit prill 2019.
  1. Dërgimi i informacionit duhet të bëhet në rrugë elektronike, nga adresa zyrtare e e-mailit të gjykatës, në adresën zyrtare të e-mailit të KLGJ-së.

Ky vendim hyn në fuqi ditën e botimit në faqen zyrtaretëKëshillit.

 

PËR KËSHILLIN E LARTË GJYQËSOR