Ankesa Online

Ankesa Online

 

Si të ankohem pranë KLD?

Si te ankohem prane kld?

Mesazh Sensibilizues

 

 

  

Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr. 23, datë 24.03.2017

PËR

SHQYRTIMIN E KËRKESËS                                           (ekstrakt)

PËR PROCEDIM DISIPLINOR NDAJ GJYQTARIT A.B.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i mbledhur më datë 24.03.2017, mori në shqyrtim kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, nr.1073, datë 09.02.2016 me dokumentacionin përkatës në procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit  të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor xxx, A.B. dhe marrjen ndaj tij të masës disiplinore “Vërejtje konfidenciale” në përputhje me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, neni 160 pika 1, germa “c”.

Ministri i Drejtësisë, me shkresën nr. 1073 prot., datë 09.02.2016, i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkesën për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor xxx, A.B. Kërkesa për procedim, ka marrë shkas nga shkeljet që ka konstatuar Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në kërkesën për procedim të ministrit të Drejtësisë, argumentohet se gjyqtari A.B., ka kryer akte e sjellje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, parashikuar nga neni 32, pika 4, shkronja “ç”, neni 33, pika 2, shkronja “b”, dhe pika 5, të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Për këtë shkak, ministri i propozon Këshillit të Lartë të Drejtësisë marrjen e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”.

Këshilli, konstaton se gjyqtari është vënë në dijeni me shkresën nr. 5361/1 prot., datë 04.09.2015 lidhur me materialin mbi faktet e konstatuara nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.Sipas Rregullores “Për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”, neni 5, ku parashikohet se: “Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në të cilën do të shqyrtohet procedimi disiplinor ndaj një gjyqtari duhet të caktohet jo më shpejt se dhjetë ditë nga data që gjyqtarit i janë vënë në dispozicion materialet e plota të procedimit”, gjyqtari është njohur me kërkesën e ministrit të Drejtësisë dhe me materialet e tjera të procedimit në adresë të tij, me shkresën nr. 2422/7 prot., datë 15.02.2016 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke i vënë në dispozicion, kërkesën për procedim disiplinor të ministrit të Drejtësisë, nr. 1073 prot., datë 09.02.2016, si dhe provat që shoqërojnë këtë procedim.

Kërkesa për procedim disiplinor nr. 1073 prot., datë 09.02.2016, e ministrit të Drejtësisë, ka marrë shkas nga shkeljet që ka konstatuar Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili me shkresën përcjellëse nr. 2422/5 prot., datë 07.08.2015, ka dërguar pranë ministrit të Drejtësisë, materialin përkatës për kompetencë vlerësimi, mbi mundësinë e procedimit disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor xxx, A.B., nëse ka kryer shkelje  të lehta dhe  akte e sjellje që e diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Në kërkesën e tij ministri ka evidentuar dhe analizuar faktet si më poshtë:

  1. Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor xxx z. S.H., ka përcjellë me aktin nr.1041, datë 13.07.2015, informacion pranë KLD –së, mbi mosrespektimin formal të ligjit procedural penal dhe dhënien e një vendimi gjyqësor penal, nga gjyqtari A.B. Konkretisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor xxx, është regjistruar për gjykim dhe është përfunduar me vendim përfundimtar çështja penale në ngarkim të pandehurit E.M., i akuzuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor xxx për kryerjen e veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të parashikuar nga neni 137/1 i K.Penal. Kjo çështje është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor xxx më datë 09.02.2015 dhe me short i është caktuar për gjykim gjyqtarit A.B.

Në seancën gjyqësore të datës 21.05.2015, gjyqtari A.B. pasi ka dëgjuar edhe konkluzionet e parashtruara nga av. E.H., mbrojtëse e të pandehurit E.M., ka deklaruar të mbyllur shqyrtimin gjyqësor të çështjes, dhe e ka shtyrë shpalljen e vendimit pas 8 ditëve, konkretisht më 29.05.2015, ora 10.45. Në datën 29.05.2015, seanca është çelur në orën 11.07 (me 22 minuta vonesë nga planifikimi) dhe është zhvilluar në sallë gjyqi me regjistrim audio. Gjyqtari pasi ka deklaruar të hapur seancën gjyqësore, (i pranishëm ka qenë vetëm prokurori i çështjes A.Z., ndërsa i pandehuri dhe mbrojtësja e zgjedhur prej tij nuk janë paraqitur, ndonëse kanë pasur dijeni nga seanca e kaluar), ka shpallur vendimin duke vendosur:

“1. Deklarimin fajtor të pandehurit E.M., për kryerjen e veprës penale të “Vjedhje e energjisë elektrike”, parashikuar nga neni 137/1 dhe 48/ç dhe 49 të K.P dhe dënimin e tij me 1 muaj burgim”.

Në datën 08.07.2015, kancelaria e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor xxx, R.T., me shkresën nr. 216 prot., vë në dijeni kryetarin e gjykatës, gjyqtarin S.H., se gjatë konfirmimit të dosjeve penale, të cilat kanë marrë formë të prerë, ka konstatuar se dosja penale nr.308 vendimi, datë 29.05.2015 që i përket të pandehurit E.M., ka një mospërputhje ndërmjet dispozitivit të vendimit të shpallur në seancë gjyqësore, të numërtuar në regjistrin përkatës, me atë të arsyetuar në vendimin e gjykatës. Kështu, në vendimin e zbardhur nga gjyqtari A.B. (vendimi nr. 308, datë 29.05.2015), në dispozitivin e vendimit pasqyrohet si më poshtë:

“1. Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit E.M., për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të parashikuar nga neni 137/1 të K.Penal. Shpenzimet e hetimit dhe ato gjyqësore i ngarkohen prokurorisë”.

Kryetari i gjykatës, në të njëjtën ditë bën me dije gjyqtarin, i cili pas verifikimit të këtij konstatimi, paraqet një kërkesë me shkrim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me objekt: “Ndreqjen e gabimeve materiale në vendimin gjyqësor nr. 308, dt. 29.05.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në ngarkim të pandehurit E.M.”.

Çështja nuk i është nënshtruar shortit elektronik, por i ka kaluar menjëherë për gjykim gjyqtarit A.B., i cili me vendimin e datës 08.07.2015, ka vendosur kalimin e çështjes për gjykim në seancë gjyqësore ora 14.00, duke thirrur edhe palët. Seanca ka filluar në orën 14.28 të asaj dite dhe është zhvilluar në sallë me regjistrim audio. Të pranishëm kanë qenë prokurori A.Z., i pandehuri E.M. dhe avokatja E.H., të cilët kanë qenë  dakord me kërkesën për ndreqjen e vendimit. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari A.B., ka shpallur vendimin:

“1. Deklarimin fajtor të pandehurit E.M., për veprën penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike ose impulseve telefonike” dhe në bazë të neneve 137/1, 48/ç dhe 49 të K.P dënimin e tij me 1 (një) muaj burgim”.

  1. Nisur nga faktet e mësipërme, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor xxx ka regjistruar procedimin penal nr. 1307 datë 08.07.2015, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorim detyre”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të K.Penal, duke bërë sekuestrimin e dosjes gjyqësore penale të lidhur me vendimin penal me nr. 308, datë 29.05.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor xxx; Sekuestrimin e CD-ve të regjistrimit audio të të gjitha seancave gjyqësore të zhvilluara në lidhje me këtë çështje penale.
  1. Gjithashtu edhe inspektorati i KLD ka nisur verifikimin e informacionit të ardhur nga kryetari i gjykatës, duke marrë shpjegime rreth situatës së mësipërme nga Kryetari i Gjykatës së Rrethit xxx z. S.H., nga gjyqtari subjekt i verifikimit z. A.B., nga kancelaria e gjykatës znj. R.T., nga Prokurori i çështjes z. A.Z. dhe nga Sekretarja gjyqësore që ka asistuar gjyqtarin A.B. në seancën e shpalljes së vendimit përfundimtar, znj. R.L. Inspektorët kanë konstatuar se: Gjyqtari A.B. ka shpallur në seancë gjyqësore publike vendimin penal të fajësisë nr. 308, datë 29.05.2015, vetëm me dispozitiv, duke deklaruar fajtor të pandehurin E.M., sipas akuzës, duke e dënuar atë me burgim dhe duke urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurit në provë për 18 muaj sipas nenit 59 të Kodit Penal. Në seancë gjyqësore publike, gjyqtari A.B. ka proceduar vetëm me shpalljen e dispozitivit të vendimit, pa dhënë asnjë motivim të vendimit të shpallur prej tij. Në këtë mënyrë, ai ka shkelur detyrimin kushtetues dhe ligjor për shpalljen e arsyetuar të vendimit gjyqësor, duke cënuar dhënien e drejtësisë. Në nxjerrjen e këtij përfundimi vlen edhe fakti se gjyqtari A.B., në kundërshtim me nenin 379 të K.Pr.Penale ka shtyrë shpalljen e vendimit nga data 21.05.2009 në datën 29.05.2009 me arsyetimin e pamundësisë absolute, që sipas tij konsistonte në “planifikimin dhe ngarkesën e tij me gjykime të tjera”. Koha e shtyrjes prej 8 ditësh atij nuk i ka mjaftuar të arsyetonte vendimin, pavarësisht se çështja në fjalë nuk kishte asnjë ndërlikim faktik apo ligjor sepse ishte proceduar me gjykim të shkurtuar të çështjes, ndaj vetëm një të pandehuri dhe për një akuzë relativisht të lehtë, siç është ajo e vjedhjes së energjisë elektrike. Për më tepër, bëhet fjalë për një gjyqtar i cili ka vjetërsi në detyrë prej pothuajse 20 vjetëve.

Në arsyetimin e vendimit të pafajësisë, gjyqtari A.B. nuk është mjaftuar vetëm me paraqitjen e pjesëve të provave që rrëzojnë akuzën, përkundrazi ka analizuar edhe qëndrimin e prokurorisë, me shprehje të tilla si “prokuroria përveçse nuk ka prova të plota dhe përtej çdo dyshimi..., interpreton në mënyrë të gabuar dhe në mospërputhje me deklarimet”. Në përfundim të analizës së tij, në pjesën përshkruese-arsyetuese të vendimit, gjyqtari A.B. nxjerr konkluzionin se nuk provohet që i pandehuri të ketë konsumuar elementët e veprës penale. Ndonëse fakti penal provohet që ekziston, nuk provohet që i pandehuri t’a ketë kryer këtë fakt penal.

Në vlerësim të tekstit të vendimit të arsyetuar plotësisht dhe të nënshkruar rregullisht prej gjyqtarit A.B., të depozituar në sekretarinë gjyqësore më 04.06.2015 konkludohet lehtësisht se dallimi midis vendimit të shpallur në seancë gjyqësore me atë të zbardhur nga gjyqtari nuk qëndron vetëm në pjesën urdhëruese të vendimit, por edhe në pjesën arsyetuese. Këto vendime janë diametralisht të kundërta, ku vendimi i arsyetuar plotësisht prej gjyqtarit dhe i depozituar në sekretari në datën 04.06.2015 paraqet një dokument, me pjesë të lidhura në mënyrë harmonike me njëra-tjetrën (në pjesën arsyetuese të vendimit të zbardhur gjyqtari arsyeton pse i pandehuri E.M., duhet të shpallet i pafajshëm dhe se pjesa arsyetuese e këtij vendimi me pjesën urdhëruese të tij kanë përputhje të plotë).

  1. Nga sa më sipër, nxirret përfundimi se procedura e ndjekur nga gjyqtari A.B., nuk përbën ndreqje të gabimit material sepse teksti i vendimit gjyqësor, i ndrequr prej tij nuk përbën “gabim material”. Nuk ka asnjë dyshim që zgjidhja e dhënë në një çështje gjyqësore me vendim të shpallur në seancë gjyqësore nuk mund të ndryshohet më nga gjyqtari që e ka dhënë atë. Ky ndryshim mund të bëhet vetëm nga gjykata më e lartë mbi bazën e ankimit të palëve. Ndryshimi tërësor i pjesës arsyetuese dhe i diapozitivit të vendimit përbën ndryshim të ratio decidendi-t të vendimit gjyqësor, që nuk mund të barazohet me “gabimin material” dhe që ka vetëm një emër “ndërhyrje dhe ndryshim i vendimit gjyqësor”.

Gabimi material është e metë formale e vendimit gjyqësor, që përfshin emetimet apo edhe gabimet në përllogaritje. Ai përgjithësisht zë vend, kur gjyqtari ka treguar mungesë vëmendje apo neglizhencë në përpilimin e tekstit të vendimit. Gabimi material përbën një të dhënë të deformuar, që i prish vendimit gjyqësor natyrën harmonike që duhet të ketë. Ai mund të përkufizohet si një kontradiktë e padëmshme e tekstit të vendimit, që kuptohet me sy të lirë. Kjo nënkupton se bëhet fjalë për të tilla shprehje të përdorura në vendim, të cilat ndonëse prima facia janë kontradiktore, nuk krijojnë asnjë dyshim për vullnetin e saktë dhe të vërtetë të gjyqtarit në zgjidhjen e çështjes. Ai nuk ka të bëjë me ratio decidendi-n dhe është i tillë që identifikohet se është gabim me sy të lirë. Pikërisht për këtë arsye, ndreqja e gabimit material nuk kërkon një rigjykim të çështjes, por zgjidhet me një procedurë të thjeshtuar, siç është ajo e “ndreqjes së gabimit” nga e njëjta gjykatë që ka bërë gabimin material. Kjo lloj procedure ka tipare të gjykimit administrativ dhe për këtë shkak, procedon me gjyqtarin që ka dhënë vendimin, pa zhvilluar proces kontradiktor me debat të palëve mbi prova për faktet.

Ministri i Drejtësisë, në kërkesën e tij vlerëson se sjellja e gjyqtarit A.B., vjen në kundërshtim me kërkesat e nenit 23, pika 2 të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”, i ndryshuar, sipas të cilit “Gjyqtari duhet të ruajë dinjitetin e tij, duke mos lejuar veprime që komprometojnë profesionin, organet e drejtësisë dhe figurën e tij në shoqëri”.

Në koherencë me ndryshimet që ka pësuar legjislacioni ministri i Drejtësisë kërkon që ndaj gjyqtarit A.B., të jepej masa disiplinore “Vërejtje konfidenciale” në përputhje me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, referuar nenit 105, pika 1, shkronja “a” i tij.

Në këtë procedim disiplinor, gjyqtari A.B., në zbatim të përcaktimeve ligjore, brenda afatit ligjor, duke mos qenë dakord me kërkesën e ministrit dhe konkluzionet e arritura në të, paraqiti kundërshtimet e tij.

Vlerësimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vlerëson se ligji nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ka dhënë kompetencën e duhur për të shqyrtuar mbi procedimin e gjyqtarëve, dhe konkretisht, neni 160 i ligjit nr. 96/2016 me titull “Organet kompetente në periudhën kalimtare”, parashikon se:

“1. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoratet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të caktuara në këtë ligj: a) ...; c) vendos masa disiplinore, me propozim të ministrit të Drejtësisë, bazuar në procedurën dhe kriteret që parashikohen në pjesën V, kreu I, të këtij ligji;”

Edhe neni 172, pika 2 e këtij ligji, parashikon se: “2. Procedimet disiplinore të papërfunduara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose në Prokurorinë e Përgjithshme në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji kryhen brenda afatit 6-mujor pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Organet përgjegjëse, sipas nenit 160, të këtij ligji, zbatojnë rregullat procedurale të parashikuara në këtë ligj.”

Këshilli rithekson rëndësinë që ka vendimi gjyqësor, shprehur edhe në një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese, e cila parashtron se arsyetimi i vendimit është elementi thelbësor i një vendimi të drejtë dhe se vendimi përbën aktin procedural kryesor të gjithë procesit gjyqësor, që përmbledh dhe finalizon përfundimisht qëndrimin që mban gjykata lidhur me çështjen në gjykim. Në këtë pikëpamje, vendimi gjyqësor nuk i shërben vetëm palëve në një proces gjyqësor, por është pjesë e përforcimit të gjithë sistemit gjyqësor dhe ndërhyrjet e papërshtatshme dhe të parregullta mbi vendimet gjyqësore, sidomos kur kryhen nga vetë gjyqtari dëmton të gjithë imazhin e drejtësisë.

Këshilli duke theksuar iniciativën e ministrit të Drejtësisë për të proceduar disiplinarisht gjyqtarin për këtë shkelje, si dhe duke marrë në konsideratë që pas një hetimi të plotë të këtij rasti, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor xxx ka vendosur pushimin e procedimit penal në ngarkim të gjyqtarit A.B., vlerëson se kërkesa e ministrit të Drejtësisë  për masë disiplinore, duhet të rrëzohet.

PËR KËTO ARSYE:

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi diskutoi çështjen në tërësi, duke vlerësuar veprimet e kryera nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor xxx, A.B., bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,  në nenet 146, 160 pika 1, germa “c” dhe 172 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në vendimin nr.137/2003 “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”,

V E N D O S I:

  1. Rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për  dhënien e masën disiplinore “vërejtje konfidenciale” ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor xxx, A.B..
  1. Një kopje e këtij vendimi i komunikohet rregullisht gjyqtarit.
  1. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente, brenda afatit ligjor.

Ky vendim u shpall sot, më datë 24.03.2017

                                                             

PËR KËSHILLIN E LARTË TË DREJTËSISË