Ankesa Online

Ankesa Online

 

Si të ankohem pranë KLD?

Si te ankohem prane kld?

Mesazh Sensibilizues

 

 

  

Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr. 22, datë 24.03.2017

PËR

SHQYRTIMIN E KËRKESËS                                          (ekstrakt)

PËR PROCEDIM DISIPLINOR NDAJ GJYQTARES J.Q.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i mbledhur më datë 24.03.2017, mori në shqyrtim kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, nr.6293/7, datë 07.12.2016 me dokumentacionin përkatës në procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx J.Q. dhe marrjen ndaj saj të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” në përputhje me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, neni 160 pika 1, germa “c”.

Ministri i Drejtësisë, me shkresën nr. 6293/7 datë 07.12.2016, i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkesën për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx J.Q. Kërkesa për procedim, ka marrë shkas nga shkeljet e konstatuar nga Drejtoria e Inspektimit Gjyqësor dhe Prokurorisë pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila, bazuar në urdhër-verifikimin nr. 6293, datë 21.09.2016 tëministrit të Drejtësisë “Për ushtrimin e inspektimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Xxx”, ka verifikuar ankesën eKompanisë “XXX”, lidhur me një vendim të shpallur nga gjyqtari J.Q.

Në kërkesën për procedim të ministrit të Drejtësisë, argumentohet se gjyqtari J.Q. ka kryer akte e sjellje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, parashikuar nga neni 32, pika 2, gërma “c”, të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Për këtë shkak, ministri i propozon Këshillit të Lartë të Drejtësisë marrjen e masës disiplinore “shkarkim nga detyra”.

Këshilli, konstaton se gjyqtarja është vënë në dijeni me shkresën nr. 6293/3, datë 30.09.2016 lidhur me materialin mbi faktet e konstatuara në inspektimin e ministrisë së Drejtësisë.Sipas Rregullores “Për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”, neni 5, ku parashikohet se: “Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në të cilën do të shqyrtohet procedimi disiplinor ndaj një gjyqtari duhet të caktohet jo më shpejt se dhjetë ditë nga data që gjyqtarit i janë vënë në dispozicion materialet e plota të procedimit”, gjyqtarja është njohur, më shumë se dhjetë më parë nga data e zhvillimit të mbledhjes, me kërkesën e ministrit të Drejtësisë dhe me materialet e tjera të procedimit në adresë të saj, konkretisht me shkresën nr. 4363/1 datë 12.12.2016 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke i vënë në dispozicion, kërkesën për procedim disiplinor të ministrit të Drejtësisë, nr. 6293/7 datë 07.12.2016, si dhe provat që shoqërojnë këtë procedim. Me shkresën nr.2999 prot, datë 17.10.2016 gjyqtari J.Q. ka paraqitur observacionet përkatëse.

Kërkesa për procedim disiplinor nr. 6293/7 datë 07.12.2016, e ministrit të Drejtësisë, ka marrë shkas nga shkeljet që ka konstatuar Drejtoria e Inspektimit Gjyqësor dhe Prokurorisë pranë Ministrisë së Drejtësisë e cila në verifikimin e ankesës së Kompanisë “XXX”, lidhur me një vendim gjyqësor të shpallur nga gjyqtari J.Q. ka vlerësuar se kjo gjyqtarja ka kryer akte dhe sjellje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit dhe gjyqësorit në përgjithësi.

Ministri i Drejtësisë, në kërkesën e tij vlerëson se sjellja e gjyqtari J.Q. duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore për shkelje të dispozitave procedurale civile në mënyrë të përsëritur dhe për kryerjen e akteve e të sjelljeve që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, të cilat provohen se gjenden në veprimtarinë e saj për gjatë gjykimit të çështjes civile, objekt inspektimi, si dhe dhënien e masës disiplinore “shkarkim nga detyra”.

Në këtë procedim disiplinor, gjyqtari J.Q. në zbatim të përcaktimeve ligjore, brenda afatit ligjor, duke mos qenë dakord me kërkesën e ministrit dhe konkluzionet e arritura në të, paraqiti kundërshtimet e saj.

Vlerësimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vlerëson se ligji nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ka dhënë kompetencën e duhur për të shqyrtuar mbi procedimin e gjyqtarëve, dhe konkretisht, neni 160 i ligjit nr. 96/2016 me titull “Organet kompetente në periudhën kalimtare”, parashikon se:

“1. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoratet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të caktuara në këtë ligj: a) ...; c) vendos masa disiplinore, me propozim të ministrit të Drejtësisë, bazuar në procedurën dhe kriteret që parashikohen në pjesën V, kreu I, të këtij ligji;”

Edhe neni 172, pika 2 e këtij ligji, parashikon se: “2. Procedimet disiplinore të papërfunduara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose në Prokurorinë e Përgjithshme në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji kryhen brenda afatit 6-mujor pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Organet përgjegjëse, sipas nenit 160, të këtij ligji, zbatojnë rregullat procedurale të parashikuara në këtë ligj.”

Këshilli vlerëson inspektimin e kryer nga ministria e Drejtësisë lidhur me veprimtarinë e gjyqtarit në gjykimin e çështjes si dhe konstatimet se: i) gjykata nuk ka kryer veprime procedurale civile për rregullimin e të metave të padisë për të përcaktuar vlerën e sendit të paluajtshëm objekt gjykimi, sipas dispozitave ligjore procedurale civile të parashikuara në nenet 65, 69 e 154/6 të K.Pr. Civile; ii) gjykata ka zhvilluar një proces gjyqësor me ndërgjyqësi të parregullt, në shkelje të dispozitave ligjore të parashikuara në nenet 14, 193, 195 të K. Pr. Civile; iii) gjykata ka gjykuar një kërkesë padi gjyqësore ndërkohë që për pronën objekt gjykimi, paditësi kishte një proces administrativ të filluar dhe ende të pambyllur në Agjencinë e Trajtimit të Pronave; iv) gjykata ka disponuar mbi një pronë publike, pa identifikuar saktësisht regjimin juridik të pronës, pa zhvilluar një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, për të identifikuar saktësisht gjendjen dhe regjimin juridik të pronës; v) gjykata ka disponuar me parashkrim fitues mbi pronën objekt gjykimi në kundërshtim me provat e administruara që vërtetojnë faktin se paditësi nuk e ka poseduar qetësisht, pa ndërprerje për 20 vite, sikur të pronar i saj.

Gjithashtu Këshilli, thekson rëndësinë që ka në një shqyrtim gjyqësor pjesëmarrja e palëve, të cilat nëpërmjet ushtrimit të të drejtës së tyre, për t’u dëgjuar, për t’i shprehur palës tjetër mjetet dhe faktet mbi të cilat mbështet pretendimet apo kundërshtitë e saj, në mënyrë që të bëhet e mundur që secila palë të mbrojë interesat të tyre në gjykim. Pjesëmarrja e palëve në gjykim, krijimi i kushteve dhe mundësive të barabarta për të përdorur mjetet në mbështetje të pretendimeve të tyre me fakte e prova, do të ishte kurdoherë kontributi kryesor dhe ndihmesa në dhënien e një vendimi të drejtë. Kjo bëhet më thelbësore, kur pala në gjykim është institucion shtetëror, përfaqësuesit e të cilit, duhet që kurdoherë, të marrin pjesë dhe të mbrojnë më së miri interesat e institucionit, e nëpërmjet kësaj, mbrojnë interesat shtetërore dhe publike.

Këshilli konstaton se vendimi i gjykatës nr.457 (11-2016-1424), datë 25.03.2016, ka marrë formë prerë, duke qenë i pranuar nga palët, duke mos pasur asnjë ankim në gjykatën e apelit. Shkeljet e konstatuara nga inspektimi i ministrisë së Drejtësisë mund të ishin objekt i shqyrtimit gjyqësor nga një gjykatë më e lartë, konkretisht gjykata e apelit, nëse palët do të vlerësonin të ushtronin të drejtën e ankimit, mjet i cili, në rastin konkret, nuk është ushtruar as nga bashkia Xxx dhe as nga Avokatura e Shtetit.

Këshilli duke vlerësuar se vendim i gjykatës për të cilin gjyqtarja i është nënshtruar procedimit disiplinor, ka marrë formë të prerë, risjell në vëmendje, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, në rastet kur ajo ka marrë për shqyrtim kërkesat e gjyqtarëve kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra.Konkretisht në vendimin e saj nr. 29, datë 30.04.2001, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se: “Vendimet gjyqësore të formës së prerë, për çështjen konkrete që zgjidhin, kanë fuqinë e ligjit. Kjo do të thotë se për sa kohë ato nuk janë prishur ose ndryshuar nga një gjykatë më e lartë, asnjë organ tjetër shtetëror nuk mund të mos përfillë përmbajtjen e tyre dhe të ngarkojë me përgjegjësi gjyqtarin e çështjes. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke i hyrë vlerësimit të ligjshmërisë dhe bazueshmërisë të këtyre vendimeve gjyqësore të dhëna nga kërkuesi në një kohë që këto kishin marrë formë të prerë, ka vepruar në kundërshtim me përmbajtjen e nenit 135, pika 1 të Kushtetutës”.

Ky qëndrim i Gjykatës Kushtetuese është rikonfirmuar edhe më vonë e konkretisht me vendimin e saj nr. 11, datë 27.05.2004, ku konkludon se: “Gjykata Kushtetuese çmon të nevojshme për të rikonfirmuar qëndrimin se vendimet gjyqësore kontrollohen vetëm nga një gjykatë më e lartë, e se asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve gjyqësore, për sa kohë, ato nuk janë ndryshuar ose prishur nga një gjykatë më e lartë”.Ky qëndrim i Gjykatës Kushtetuese nuk rezulton të ketë ndryshuar deri më sot.

Përjashtimisht nga ky rregull, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të sipërcituar ka lejuar që: “KLD-ja mund të marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarëve pa e kushtëzuar atë me faktin nëse ky vendim ka marrë formë të prerë, vetëm për raste kur vendimet shoqërohen me akte dhe sjellje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit dhe cenojnë në përgjithësi prestigjin dhe autoritetin e shtetit”. 

Duke vlerësuar se procedimi disiplinor ndaj gjyqtares, ka marrë shkas vetëm nga një çështje gjyqësore e caktuar, nga një rast i vetëm, ç’ka nuk ndihmon për të vlerësuar nëse gjyqtari ka një paaftësi të theksuar, dhe shkelje të pajustifikuar aq më tepër të përsëritur të dispozitave, duke vlerësuar se vendimi gjyqësor nuk është ankimuar nga palët në proces, si dhe, duke vlerësuar se jo në çdo rast, shkelja që konstatohet në veprimtarinë e gjyqtarit do të konsiderohet si shkelje që kanë çuar ne humbjen e besimit dhe kredibilitetit ndaj gjyqtarit apo akt që ka diskredituar rëndë figurën dhe sjelljen e tij, Këshilli çmon, se shkeljet e konstatuara, nuk janë të tilla, nuk janë deri në atë shkallë që të përligji kërkesat për dhënie të masës disiplinore ndaj saj.

Në analizë të sa më sipër, Këshilli arrin në përfundimin se veprimet e gjyqtarit J.Q. gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij gjyqësore, të konstatuara nga ministri i Drejtësisë, janë të tilla që nuk  ngarkojnë atë me përgjegjësi disiplinore në atë masë për të justifikuar “Shkarkimin nga detyra”, ndaj kërkesa e ministrit të Drejtësisë duhet rrëzuar.

PËR KËTO ARSYE:

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi diskutoi çështjen në tërësi, duke vlerësuar se veprimet e kryera nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx J.Q. nuk përbëjnë shkelje të disiplinës të parashikuar në ligj, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,  në nenet 146, 160 pika 1, germa “c” dhe 172 të ligjit nr 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në vendimin nr.137/2003 “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”

V E N D O S I

  1. 1.Rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masën disiplinore “shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx J.Q.
  1. 2.Një kopje e këtij vendimi i komunikohet rregullisht gjyqtarit.
  1. 3.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente, brenda afatit ligjor.

Ky vendim u shpall sot, më datë 24.03.2017

                                                             

PËR KËSHILLIN E LARTË TË DREJTËSISË