Ankesa Online

Ankesa Online

 

Si të ankohem pranë KLD?

Si te ankohem prane kld?

Mesazh Sensibilizues

 

 

  

Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr. 21, datë 24.03.2017

 

PËR

SHQYRTIMIN E KËRKESËS                                             (ekstrakt) 

PËR PROCEDIM DISIPLINOR NDAJ GJYQTARIT L.S.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i mbledhur më datë 24.03.2017, mori në shqyrtim kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, nr. 97, datë 06.01.2106 me dokumentacionin përkatës në procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit  të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx, L.S. dhe marrjen ndaj tij të masës disiplinore “Vërejtje konfidenciale” në përputhje me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, neni 160 pika 1, germa “c”.

 

 

 

Ministri i Drejtësisë, me shkresën nr. 97 prot., datë 06.01.2016 i ka dërguar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkesën për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Xxx, L.S.. Kërkesa për procedim, ka marrë shkas nga shkeljet që ka konstatuar Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

 

Në kërkesën për procedim të ministrit të Drejtësisë, argumentohet se gjyqtari L.S., ka kryer shkelje  e normave të etikës dhe  akte e sjellje që e diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, parashikuar nga neni 32, pika 2, shkronja “a” dhe “gj”, të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Për këtë shkak, ministri i propozon Këshillit të Lartë të Drejtësisë marrjen e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”.

 

Këshilli konstaton se gjyqtari është vënë në dijeni me shkresën nr. 4975/1 prot., datë 06.11.2015 lidhur me materialin mbi faktet e konstatuara nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.Sipas Rregullores “Për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”, neni 5, ku parashikohet se: “Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në të cilën do të shqyrtohet procedimi disiplinor ndaj një gjyqtari duhet të caktohet jo më shpejt se dhjetë ditë nga data që gjyqtarit i janë vënë në dispozicion materialet e plota të procedimit”, gjyqtari është njohur me kërkesën e ministrit të Drejtësisë dhe me materialet e tjera të procedimit në adresë të tij, me shkresën nr. 43 prot., datë 07.01.2016  të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

 

Kërkesa për procedim disiplinor nr. 97 prot., datë 06.01.2016, e ministrit të Drejtësisë, ka marrë shkas nga shkeljet që ka konstatuar Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili me shkresën përcjellëse nr. 477/7 prot., datë 16.07.2015, ka dërguar pranë ministrit të Drejtësisë, materialin përkatës për kompetencë vlerësimi, mbi mundësinë e procedimit disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx, L.S., nëse ka kryer shkelje  e normave  të etikës dhe  akte e sjellje që e diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.

 

Nga sa më sipër, ministri Drejtësisë në kërkesën e tij vlerëson se në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx (dhoma penale) jashtë orarit zyrtar ka ndodhur një ngjarje në të cilën janë përfshirë gjyqtari L.S., sekretare F.B., bashkëshortja e gjyqtarit A.S.. Nga deklarimet fillestare të kësaj të fundit të cilat janë dhe përshtypjet e saj të drejtpërdrejta, të transmetuara në momentin e parë të ndikuara vetëm në atë çfarë ajo ka parë dhe ka perceptuar, çmohet se gjyqtari L.S., ka shkelur etikën gjyqësore, jo vetëm për shkak të vendit apo dhe të personave të implikuar në këtë ngjarje por dhe të pamundësisë së tij për të shmangur këtë lloj komunikimi me bashkëshorten e tij, apo të shmangte incidentin e ndodhur. Rezulton se martesa e tyre ka përfunduar dhe pavarësisht se nuk provohet drejtpërdrejt se shkaku është pikërisht kjo ngjarje, rezulton se ajo ka lënë gjurmë në marrëdhëniet e tyre dhe ka ndikuar në zgjidhjen e martesës.

 

Në këtë procedim disiplinor, gjyqtari L.S., në zbatim të përcaktimeve ligjore, brenda afatit ligjor, duke mos qenë dakord me kërkesën e ministrit dhe konkluzionet e arritura në të, paraqiti kundërshtimet e tij para Këshillit.

 

Vlerësimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vlerëson se ligji nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ka dhënë kompetencën e duhur për të shqyrtuar mbi procedimin e gjyqtarëve, dhe konkretisht, neni 160 i ligjit nr.96/2016 me titull “Organet kompetente në periudhën kalimtare”, parashikon se:

 

“1. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoratet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të caktuara në këtë ligj: a) ...; c) vendos masa disiplinore, me propozim të ministrit të Drejtësisë, bazuar në procedurën dhe kriteret që parashikohen në pjesën V, kreu I, të këtij ligji;”

 

Edhe neni 172, pika 2 e këtij ligji, parashikon se: “2. Procedimet disiplinore të papërfunduara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose në Prokurorinë e Përgjithshme në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji kryhen brenda afatit 6-mujor pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Organet përgjegjëse, sipas nenit 160, të këtij ligji, zbatojnë rregullat procedurale të parashikuara në këtë ligj.”

 

Këshilli vlerëson qëndrimin e Komisionit të Përhershëm të Etikës, pranë Gjykatës së Lartë, shprehur me shkresën nr.477/4 datë 08.06.2015, e cila ndërkohë që thekson rëndësinë që ka sjellja e gjyqtarit konformë rregullave të etikës, thekson gjithashtu edhe rëndësinë e të provuarit, të kryerjes apo moskryerjes së veprimeve të cilat bien ndesh etikën.

 

 

 

PËR KËTO ARSYE:

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi diskutoi çështjen në tërësi, duke vlerësuar veprimet e kryera nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx, L.S. bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,  në nenet 146, 160 pika 1, germa “c” dhe 172 të ligjit nr 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në vendimin nr.137/2003 “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”,

 

V E N D O S I

 

 

 

  1. Rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për  dhënien e masën disiplinore “vërejtje konfidenciale” ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Xxx, L.S..

 

  1. Një kopje e këtij vendimi i komunikohet rregullisht gjyqtarit.

 

  1. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente, brenda afatit ligjor.

 

Ky vendim u shpall sot, më datë 24.03.2017

 

                                                             

 

PËR KËSHILLIN E LARTË TË DREJTËSISË