Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

NJOFTIM PËR SHTYP-28.02.2019

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 28.02.2019, mbledhjen e radhës në të cilën u caktuan gjykatat, si dhe trupa e magjistratëve udhëheqës, të cilët do të kryejnë vlerësimin etik dhe profesional të secilit kandidat për magjistrat, duke u bazuar në kriteret dhe nivelet e vlerësimit të përcaktuar me ligj. Këshilli caktoi Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, të shërbejnë për kryerjen e praktikës profesionale për kandidatët magjistratë, profili gjyqtar, duke vlerësuar se këto dy gjykata janë praktikisht dy nga gjykatat me të mëdha në vend, ku në kompetencat lëndore të tyre përfshihen mosmarrëveshjeshjet në tre fushat kryesore të të drejtës, atë civile, penale dhe administrative.

Këshilli miratoi udhëzimin mbi pagesat e gjyqtarëve që ushtrojnë funksionet në ditët e pushimit javor dhe festave zyrtare, udhëzim i cili ka si qëllim zbatimin e dispozitave ligjore për kompensimin financiar të gjyqtarëve.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të gjyqtarëve z. Fejzo Hysi dhe z. Halil Vani.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.